Shqipëria shënon 5-vjetorin e pranimit në NATO

Shqipëria shënon pesë vjetorin e pranimit në NATO. Kryeministri Edi Rama, theksoi se siguria kombëtare ka arritur nivele të paimagjinueshme. Ndërsa ministrja Mimi Kodheli falënderoi forcat e NATO-s për ndërhyrjen në Kosovë më 1999.

Lajme

31/03/2014 09:54

Shqipëria sot feston pesë vjetorin e anëtarësimit në NATO. Zyrtarë të  shtetit shqiptarë , kanë vlerësuar se është krenare që trupat shqiptare po kontribuojnë në misionet paqeruajtëse kudo në botë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se siguria jonë kombëtare ka arritur nivele të paimagjinueshme

“Anëtarësimi në NATO e ka rritur rëndësinë dhe fuqinë politike të Shqipërisë si shtet. Shqipëria ka garantuar angazhimin e saj për të mbrojtur edhe ushtarakisht integritetin dhe pavarësinë e saj.

“Është angazhuar për mbrojtjen e integritetit e pavarësisë së çdo vendi aleat me të dhe për mbrojtjen e paqes, lirive dhe të drejtave kudo ku kjo aleancë e sheh të nevojshme. Mbajtja e barrës së të tjerëve përbën një arsye krenarie për ne”, vlerësoi Rama.

Kryeministri Rama, shpjegoi edhe rëndësinë e të qenit në një aleancë si NATO.

“Jetojmë në një botë që provon çdo ditë se sa largpamëse ka qenë ideja për t’i dhënë jetë kësaj aleance dhe se sa aktuale është çdo përpjekje për forcimin e saj. Zhvillimet e fundit në Ukrainë shërbyen për ta sjellë përpara syve tanë rëndësinë e jashtëzakonshme të vlerave dhe parimeve që na bashkojnë.”

Ndërkaq, Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli,  në fjalimin e saj, falënderoj  forcat e NATO-s, për ndërhyrjen në Kosovë dhe u shprehë, se “është krenare për trupat tona që po kontribuojnë sot në misionet e NATO-s për paqen kudo në botë”.

 Top Channel