Shqipëria nuk ishte gati

Kryeministri Britanik David Cameron thotë se Shqipëria, me gjithë përpjekjet e Kryeministrit Rama, nuk ka arritur të përmbushë kriteret për marrjen e statusit.

Lajme

21/12/2013 17:21

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, thotë se Shqipëria ka bërë përparime, por jo të nevojshme për ta marrë statusin e kandidatit.

Me këtë, Cameron ka arsyetuar qëndrimin hezitues ndaj kandidaturës së Shqipërisë në konferencën nacionale për shtyp, transmeton Top Channel.

Në përfundim të samitit 2-ditor europian, pasi përmendi takimin me Kryeministrin Edi Rama, Cameron shpjegoi se BE duhet të nxjerrë mësimet nga zgjerimi i fundit, duke forcuar rregullat për periudhat transitore të anëtarësimit.

\”Për Shqipërinë ne nuk po e mbështesim statusin kandidat tani. Siç e mbani mend, ka disa hapa për t’u ndjekur përpara se të bëhesh anëtar”.

“E kam takuar kryeministrin shqiptar dhe ai bëri shumë përpjekje për reformat në vendin e tij. Por mendoj se hapa të mëtejmë duhen ndjekur përpara se statusi kandidat të jetë i përshtatshëm”.

“Këto hapa duhet t’i përdorim me çiltërsi për të inkurajuar vendin për masat ndaj korrupsionit, masat ndaj krimit të organizuar, për praktikat e duhura ligjore, për sundimin e ligjit”.

“Pra, siç e thashë, kjo është mundësia që procesi i anëtarësimit në BE të bëhet një politikë mjaft e mirë dhe ne duhet të sigurohemi se kjo do të ndodhë në rastin e Shqipërisë”.

“Ne jemi pro zgjerimit, por kur shohim nga e ardhmja, unë nuk dua që të përsëriten lëvizjet e mëdha të njerëzve siç i kemi parë. Ne duhet të mësojmë nga historia”.

“Zgjerimi ka qenë një sukses, kontrolli transitor ishte i suksesshëm, por jo kur përdorej nga vendet dhe unë debatoj që të vemi një hap më tej për kontroll më të fortë transitor\”, ka deklaruar Cameron.