Shqipëria nuk do të lejojë kalimin transit drejt BE-së

Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza, ka thënë se asnjë emigrant nuk do të lejohet që të përdorë Shqipërinë si vend transit për të shkuar në vende të tjera të BE-së. Ai ka thënë se situata në kufirin shqiptar është nën kontroll, dhe nëse emigrantët do të kërkojnë strehim në Shqipëri, atëherë do të ndiqen procedurat ligjore për të parë se kush përfiton.

Lajme

14/03/2016 21:44

“Në qoftë se këta shtetas do të kërkojnë mbrojtje humanitare zbatohet një procedurë e veçantë, që është procedura e përzgjedhjes për azilkërkuesit. Kush do të kërkojë që Shqipërinë ta ketë si tranzit nuk do të lejohet të kalojë:, ka thënë Merepeza, për OraNews.

Drejtori i kufirit ka thënë se Shqipëria nuk i kapacitetet e mjaftueshme për të pranuar shumë emigrantë, ndërsa vendimi për ta bërë një gjë të tillë duhet të merret në bashkëpunim me vendet e tjera.

“Kemi një qendër që është në afërsi të Tiranës që mund të shkojë deri në 200 persona, kemi qendrën e azilkërkuesve në Tiranë që edhe kjo ka një kapacitet të limituar që mund të shkojë 150-200 persona dhe për më tepër Shqipëria është e vogël për të përballuar një fluks të madh”, ka thënë ai.

Dhe për të parandaluar depërtimin e personave të rrezikshëm, Drejtori i Kufirit ka thënë se me ndihmën edhe të forcave italiane do të bëhet regjistrimi i çdo emigranti, në rast kalimi në Shqipëri.

“ Këto ekspertë janë të mirëpritur të asistojnë policinë kufitare lidhur me identifikimin e personave që do të hyjnë në territorin shqiptar. Ne duam që çdo njeriu ti japim një emër, të mos kemi njerëz të paidentifikuar që kalojnë nëpërmjet territorit shqiptar”, ka shtuar ai.

Merepeza ka siguruar se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët për të monitoruar çdo lëvizje.