Shqipëria ndihmon në realizimin e agjendës evropiane

Qeveria e Shqipërisë është e gatshme për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike.

Lajme

15/04/2014 10:44

Kështu ka thënë në ditën e dytë të vizitës së saj në Prishtinë, kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade.

Ajo të martën është pritur nga Ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku.

Ministrja Çitaku ka theksuar se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në rrugën e saj evropiane, duke krijuar shtet ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit.

Çitaku ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke theksuar interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të hap rrugë të reja bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë si vend mik i Kosovës, në intensifikimin e përbashkët të punës drejtë Integrimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën, përmes shkëmbimit të përvojave, në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Çitaku.