Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane

Presidentja, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi me Ministrien e Integrimeve Europiane të Shqipërisë, Klajda Gjosha, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit në procesin e integrimeve evropiane. Ndërsa vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të dy vendeve.

Lajme

26/03/2014 19:36

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në një takim, Ministen e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha.

Jahjaga vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të dy vendeve, përderisa theksoi nevojën për rritjen e këtij bashkëpunimi sidomos në procesin e integrimeve europiane.

Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është prioritet i institucioneve të vendit, duke vënë në pah përparimet që janë shënuar në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet fqinje.

Presidentja Jahjaga tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përmes shkëmbimit të përvojës në këtë proces.

 

Në anën tjetër, Ministrja e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha, vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë, ndërsa theksoi përkushtimin e Qeverisë shqiptare për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në mes të dy vende, si dhe për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e reformave dhe në arritjen standardeve të kërkuara për anëtarësim në BE, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentes.