Shqipëria – Moldavia, ky pritet të jetë formacioni i Kuqezinjëve

Kombëtarja shqiptare do të luajë sonte, në orën 20:45, në “Elbasan Arena”, kualifikuesen e radhës, të dytën për muajin qershor.

Sport

11/06/2019 11:58

Para pak ditësh, më 8 qershor, kuqezinjtë tanë u mundën minimalisht në Rekjavik, ndaj Islandës vendëse. Ajo ishte ndeshja debutuese për trajnerin Reja, i cili do të ketë mundësinë ta largojë shijen e keqe të transfertës pararendëse. 

Kjo arrihet me një lojë të mirë dhe fitore ndaj Moldavisë. Në funksion të këtij qëllimi, 73-vjeçari italian do t’i “përziejë kartat”, do të ndryshojë jo pak në formacionin startues. Porta nuk ka rivalitet, do t’i besohet sërish Berishës. Një dilemë ekziston për rolin e Mavrajt në mbrojtje.

Trajneri kuqezi nuk bindet shumë nga forma sportive që po kalon kapiteni i kombëtares, ndaj me daljen e djeshme para mediave me zv.kapitenin Hysaj në krah, la të kuptohet se do të vijojë të aktivizojë Dermakun përsëri në qendër të prapavijës.

Mbrojtja me tre do të kompletohet me Ismajlin dhe Veselin. Mesfusha me pesë do të ndryshojë dukshëm. Basha dhe Lenjani do të ulen në stol. Hysaj, Xhaka, Kaçe dhe Aliji pritet të përbëjnë këtë repart të kombëtares sonë. Dy janë prurjet e reja të Rejës në mesfushë, sikurse duket: Kaçe dhe Aliji, në krahasim me formacionin startues ndaj Islandës.

Edhe sulmi do të pësojë ndryshime. Cikalleshi dhe Balaj do ta nisin nga stoli, duke iu dhënë mundësinë Uzunit dhe Sadikut për titullarë ndaj Moldavisë. Elbasanasi luajti disa minuta në Rekjavik, më 8 qershor, ndërsa beratasi nuk u aktivizua fare. Pra, të dy janë të freskët fizikisht.  /Telesport/