Shqipëria me pagat minimale më të ulëta në Evropë

Rreth 2,2% e popullsisë në zonat urbane të vendit, gjatë vitit 2012 jetojnë në varfëri ekstreme, në pamundësi për të përmbushur nevojat bazë ushqimore. 

Lajme

03/07/2014 18:44

Studimi më i fundit i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike ka treguar se 29% e punësimit të përgjithshëm është informal, dhe Shqipëria ka ende pagat minimale më të ulëtat në Evropë.

Eksperti i Organizatës Botërore në Gjenevë, Denid Vaugham Whitchead, tha se rritja e pagës minimale është prioritet, edhe pse qeveria aktuale ka një deficit të madh, ky hap nuk duhet të shihet si pengesë.

“Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Evropë, më e ulët se në Bullgari apo Rumani, ndaj dhe është e nevojshme të kemi rritjen e saj, siç po ndodh në shumë vende. Paga minimale rritet duke pasur parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo, ndaj këtu kërkohet që të ndërhyhet”, tha Denid Vaugham Whitchead.

Kriza ekonomike ka bërë që të thellohet edhe më tej hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, ose më saktë të varfrit janë bërë edhe më të varfër, ndërsa të pasurit janë pasuruar edhe më shumë.

“Kemi rritje të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, këtë e tregojnë edhe statistikat. Gjatë krizës, të pasurit janë pasuruar më shumë, ndaj kërkohet një politikë e caktuar për të pasur një shpërndarje edhe më të drejtë. Nëse rritet paga minimale zvogëlohet hendeku mes atyre që janë në majë dhe atyre që janë në fund. Ndaj, një rol të rëndësishëm kanë taksat” , tha Whitchead.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Erion Veliaj, deklaroi se vendosja e taksës progresive synon pikërisht ngushtimin e këtij hendeku, dhe se aplikimi i saj çon realisht në rritjen me10% të pagave neto për mbi 90% të të punësuarve, të cilët marrin paga të ulëta dhe të mesme.

/ Top Channel