Shqipëria llogarit në kosovarë

Shqipëria do të vazhdojë të pajisë me nënshtetësi dhe pasaporta shqiptarë, futbollistët e talentuar nga Kosova. Kjo është deklarata nga Zëvendëssekretari i përgjithshëm i FSHF-së, njëkohësisht edhe shef i garave në federatë, Besnik Çela. Pavarësisht se Kosova mori leje nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, Shqipëria nuk do të heqë dorë nga përfshirja…

Sport

17/01/2014 19:11

Shqipëria do të vazhdojë të pajisë me nënshtetësi dhe pasaporta shqiptarë, futbollistët e talentuar nga Kosova.

Kjo është deklarata nga Zëvendëssekretari i përgjithshëm i FSHF-së, njëkohësisht edhe shef i garave në federatë, Besnik Çela.

Pavarësisht se Kosova mori leje nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, Shqipëria nuk do të heqë dorë nga përfshirja e futbollistëve kosovarë, siç ka bërë në të kaluarën.

“Qëndrimi ynë kundrejt kosovarëve nuk ndryshon. Aktualisht ne kemi 6 lojtarë, që pritet të luajnë në ekipet e moshave, të cilëve po u përgatisim dokumentacionin për t’u pajisur me nënshtetësi dhe më pas me pasaporta. Në këtë këndvështrim do vijojmë edhe më tej”, ka theksuar Çela për “Panorama Sport”.

“Nëse do ketë lojtarë cilësorë që do t’u bëjnë punë trajnerëve të ekipeve tona kombëtare dhe ata lojtarë do kenë dëshirë të përfaqësojnë Shqipërinë, ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë punën tonë. Këtu nuk është fakti se ne do i bëjmë konkurrencë Kosovës, por nëse një lojtar cilësor kosovar do dëshirojë të luajë për Shqipërinë dhe neve na intereson, atëherë nuk ka arsye pse të mos e pajisim me pasaportë”, theksoi ai.

Përveç ekipit të parë, edhe skuadrat e të rinjve të Shqipërisë kanë një numër të madh të futbollistëve me prejardhje nga Kosova.