Shqipëria frikësohet nga tularemia, nis grup specialistësh në Kukës

Shqipëria është e frikësuar nga rastet me sëmundjen e tularemisë të konstatuara në Kosovë.

Lajme

12/02/2015 18:30

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri raporton se sot ka nisur një grup specialistësh për në veri të vendit, kryesisht në zonat e Kukësit dhe Hasit, për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë me epidemiologët dhe drejtuesit përkatës për sa i përket planit të masave dhe bashkërendimit të punës për përforcimin e mbikëqyrjes epidemiologjike lidhur me raportimet për shtim të numrit të rasteve të tularemisë në Kosovë.

Gjithashtu, specialistët e ISHP-së kanë vendosur dhe janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me epidemiologët e autoritetet përkatëse të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, për të siguruar informacion të hollësishëm rreth situatës epidemiologjike të tularemisë në Kosovë.

Megjithatë, ISHP thekson se situata e përhapjes së kësaj sëmundje nuk paraqet asnjë rrezikshmëri në Shqipëri, dhe se në 10 vjetët e fundit nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të raportuar me këtë patologji.

Tularemia është sëmundje kryesisht e kafshëve, posaçërisht e brejtësve. Burim i infeksionit të kësaj sëmundje janë kafshët e infektuara, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm.

Specialistë të ISHP-së thonë se është e rëndësishme të theksojmë se kjo sëmundje nuk përhapet nga njeriu te njeriu.