Shqipëria e qetësoi Ronaldon

Sipas portalit ndërkombëtar “Goal.com” “edhe pse të gjithë sytë ishin drejtuar nga Cristiano Ronaldo, si lojtari që duhej të frymëzonte fitoren e Portugalisë, ai zhgënjeu”.

Sport

08/09/2015 13:20

Cristiano Ronaldo u paraqit në Elbasan Arena si rreziku kryesor për Shqipërinë. Por, ashtu si ka ndodhur shpesh me yje të mëdhenj të futbollit botëror, edhe portugezi ka vuajtur përballë mbrojtjes së ngjeshur kuqezi.

Tre herë fituesi i Topit të Artë ishte protagonist i një mbrëmje nën nivelin e zakonshëm. Pak aktiv në fushë dhe jo shumë i interesuar në pjesën më të madhe të aksioneve të skuadrës.

Përfundimi vjen nga statistikat në fushën e lojës. Sipas portalit ndërkombëtar “goal.com” “edhe pse të gjithë sytë ishin drejtuar nga Cristiano Ronaldo, si lojtari që duhej të frymëzonte fitoren e Portugalisë, ai zhgënjeu”, shkruan “Supersport.al”.

30-vjeçari realizoi vetëm dy goditje në kuadratin e portës, të neutralizuara nga Etrit Berisha, ndërsa ishte nën ton edhe përsa i takon pasimeve, me vetëm 67 për qind saktësi në 30 momente kur shërbeu për shpërndarjen e topit te shokët e ekipit.

Sipas shifrave, Ronaldo fitoi 75 për qind të dueleve me mbrojtësit shqiptarë, ndërsa ishte i përfshirë edhe në tre aksione të përfaqësueses luzitane.

Një mbrëmje relativisht e qetë për yllin e Real Madrid në Shqipëri, nga ku Portugalia arriti vetëm në fund të merrte maksimumin e pikëve.