Shqipëria e do trajnerin që i eliminoi në EURO 2012

Nuk kanë të sosur emrat e trajnerëve në garën virtuale për stolin e kombëtares shqiptare të futbollit. 

Sport

27/03/2019 09:14

Pas emrave si Edi Reja, Roberto Donadoni, Roberto di Canio, Besnik Hasi e Gianni de Biasi, një tjetër emër i është shtuar në bllokun e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Siç bëhet me dije, ish-trajneri i Bosnje-Hercegovinës, Safet Sušić ka përfunduar në “lupën” e drejtuesve kuqezi. Boshnjaku ka drejtuar për 5 vite me radhë kombëtaren boshnjake, fakt i cili bind së tepërmi FSHF-në.

Madje, Sušić ka qenë në pankinë në kualifikueset e Europianit 2012, në barazimin 1-1 në stadiumin “Qemal Stafa”, si dhe kur Bosnja fitoi 2-0 ndaj Shqipërisë në qershor të vitit 2011 në shtëpi.

Gjithsesi, duhet ende ditë për të mësuar emrin e ri të stolit të kombëtares, i lënë vakand që prej shkarkimit të italianit, Christian Panucci. Aktualisht kombëtarja drejtohet nga dyshja, Ervin Bulku-Sulejman Mema. /Lajmi.net/