Shqipëria dhe Greqia do ‘ndajnë’ sekretet, Qendër të përbashkët në Kakavijë kundër krimit të organizuar

Shqipëria dhe Greqia do të kenë në Kakavijë një qendër të përbashkët, ku palët do të koordinojnë luftën ndaj krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar, duke shkëmbyer edhe informacion sekret.

Lajme

18/01/2021 16:36

Trafiku i drogës dhe fluksi i klandestinëve, për të cilën në Kakavijë është vendosur edhe FRONTEX janë dy nga sfidat e misionit shqiptaro-grek.

Shqipëria e Greqia kanë rënë dakord për të shkëmbyer informacione sekrete për të koordinuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.

Një qendër e posaçme e bashkëpunimit policor e doganor mes dy vendeve është ngritur në anën greke të Kakavijës dhe do të funksionojë me oficerë nga të dyja palët.

Zyrtarizimi i bashkëpunimit bëri bashkë në kufi zëvendësministrin grek të mbrojtjes së qytetarit Lefteris Economu me përfaqësues të qeverisë shqiptare.

“Qendra do të funksionojë 24 orë, me oficerë të të dyja vendeve dhe nëpunës të doganës. Në krye të kësaj qendre do të ketë drejtues të të dyja palëve. E rëndësishme është që oficerët e të dyja palëve do të punojnë në të njëjtin vend, do të shkëmbejnë informata sekrete duke koordinuar shërbimet për luftën kundër krimit ndërkufitar dhe atij të organizuar. Është e rëndësishme të theksojnë se më funksionimin e saj pa ndërprerë do të forcohet dhe besimi reciprok”.

Përfaqësuesi i Athinës zyrtare rikonfirmoi mbështetjen e për ecurinë evropiane të Shqipërisë.

“Kjo qendër është një mundësi e madhe për realizimin e veprimtarisë edhe në nivel evropian. Greqia mbështet ecurinë evropiane të Shqipërisë. Bashkëpunimi mes dy policive është shumë i mirë, por hapësirat që ky bashkëpunim të jetë më i mirë janë të shumta”.

Fluksi dhe tentativat e trafikimit të emigrantëve dhe lëndëve narkotike, sikurse kontrabandës së mallrave janë disa nga synimet e misionit të përbashkët mes Shqipërisë e Greqisë në kufi.

YouTube player