Shqipëria dhe disa vende tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me ndërprerje të rrymës

Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike më 21 qershor. Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë. “Është identifikuar…

Lajme

21/06/2024 13:51

Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike më 21 qershor.

Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.

“Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit”, tha OST përmes një njoftimi duke shtuar se po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë.

Ndërkaq, drejtori i Elektropriverda në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës është për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”.

Nga Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë. Probleme me rrymë nuk është raportuar as në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.