Shqipëri – Zvicër, sot do të ndodhë diçka e pabesueshme!

Shqipëria ndeshet sot me Zvicrën në ballafaqimin e tyre të parë në Grupin A në "Euro 2016". Në këtë takim, “luftën” e bëjnë 29 shqiptarë.

Sport

11/06/2016 08:16

Lorik Cana po debutonte për Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshje zyrtare. Milaim Rama ishte i grumbulluar për herë të parë te përfaqësuesja e Zvicrës.

Rama bëri nxehmjen afër vijës anësore të fushës, por nuk mundi të luante. Këtu fillon historia e përballjeve shqiptare në ndeshjet mes Shqipërisë e Zvicrës.

Më 11 qershor të vitit 2003. Plot 13 vjet para ndeshjes tjetër ndërmjet Shqipërisë e Zvicrës që luhet në kuadër të kampionatit europian të futbollit, “Francë 2016”. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë e Zvicrës që luhet të shtunën në orën 15:00, në stadiumin “Bollaert-Delelis” në Lens, vlerësohet ndër të veçantat e Europianit, pasi për Zvicrën luajnë plot gjashtë lojtarë shqiptarë dhe pasi te Shqipëria ka plot lojtarë që kanë lindur e janë rritur në Zvicër, kanë nisur me futboll në Zvicër dhe kanë luajtur për grupmoshat e reja të këtij vendi.

Shqipëria dhe Zvicra në fakt janë takuar në fushën e futbollit shumë më herët se në atë ndeshje të 2003-ës. Në kualifikimet europiane për botërorin e vitit 1966, Shqipëria dhe Zvicra ishin pjesë e një grupi. Zvicra e fitoi grupin ku ishin edhe Irlanda e Veriut dhe Holanda.

Shqipëria doli e fundit, duke marrë një barazim dhe duke pësuar pesë humbje. Më 11 prill të vitit 1965, Shqipëria në Tiranë pësoi 2-0 nga Zvicra.

Zvicra fitoi edhe ndeshjen tjetër, të luajtur më 2 maj të vitit 1965 në Gjenevë. Rezultati ishte 1-0. Në ato përballje, trajner i Shqipërisë ishte Zyber Konçi, ndërsa në ndeshjen e parë luajtën Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Niko Xhaçka.

Suksesi i vetëm i Shqipërisë me Zvicrën, barazimi më 2002 Gjithsej Shqipëria e Zvicra janë përballur gjashtë herë.

Zvicra ka pesë fitore, ndërsa Shqipëria ka marrë vetëm një barazim. Barazimi mes Shqipërisë e Zvicrës u arrit më 12 tetor të vitit 2002, në kualifikime për “Euro 2004”. Dy përfaqësueset ishin pjesë e Grupit 10, që u fitua nga Zvicra. Shqipëria ishte e katërta dhe la pas Gjeorgjinë. Ndeshja u luajt në “Qemal Stafa” të Tiranës para 15 mijë shikuesve.

Edvin Murati shënoi për Shqipërinë në minutën e 79-të, pasi Zvicra kishte kaluar në epërsi në minutën e 37-të nëpërmjet Murat Yakinit. Për Shqipërinë luajtën Foto Strakosha, Geri Çipi, Ajran Xhumba, Ervin Fakaj, Altin Haxhi, Altin Lala, Besnik Hasi, Edvin Murati, Klodian Duro, Fatmir Vata, Igli Tare. Ishin aktivizuar edhe Alban Bushi, Florian Myrtaj, Elvis Sina, ndërsa përzgjedhës ishte Giuseppe Dossena.

Shqipëria në atë cikël kishte arritur një fitore të madhe, 3-1 ndaj Rusisë në Shkodër, me gola të Altin Rrakllit, Lalës e Tares. Por, në përballjen e dytë me Zvicrën, në atë cikël eliminator nuk kishte mundur të shmangte humbjen. Pësoi 3-2 më 11 qershor të vitit 2003 në Gjenevë para 26 mijë shikuesve.

Altin Lala e Ervin Skela kishin realizuar për Shqipërinë. Cana ishte aktivizuar në fillim të pjesës së dytë në vend të Çipit. Cana është i vetmi i asaj gjenerate që vazhdon të luajë për Kombëtaren. Është kapiten i saj. Në fakt, Cana kishte debutuar për Shqipërinë para ndeshjes me Zvicrën, në një miqësore me Kosovën të luajtur më 6 shtator të vitit 2002.

Por ndeshja nuk ishte zyrtare dhe FIFA si debutim ia njeh ndeshjen me Zvicrën.

Meraku i Milaim Ramës

Në kampin tjetër, atë të Zvicrës, për herë të parë ishte një shqiptar. Ishte sulmuesi Milaim Rama që po grumbullohej për herë të parë nga Zvicra. Rama ishte rezervist dhe ishte pranë aktivizimit. Por kjo nuk ndodhi. Ai më pas luajti shtatë ndeshje me Zvicrën, një në “Euro 2004”, por nuk u përball me Shqipërinë. “Kam qenë në bankë, por nuk jam inkuadruar në lojë. Dola edhe në nxehmje, por trajneri megjithatë nuk më aktivizoi. Tani do të shkoj ta shoh ndeshjen nga afër. Do të kem emocione, si para 13 vjetësh. Por tani vetëm nga tribunat”, ka thënë Rama të mërkurën për “Kohën Ditore”.

Për Canën, ndeshja me Zvicrën është e veçantë si për shumicën. Ai luan kundër përfaqësueses së vendit ku është rritur dhe përfaqësueses ndaj së cilës ka luajtur së pari në skenën ndërkombëtare. “Secila skuadër në Europian shkon për të fituar. Shqipëria synon të njëjtën. Nëse kjo është e mundur dhe cilat janë gjasat tona kjo është çështje tjetër. Ne duam të luajmë lojën tonë dhe të paraqesim vlerat që kemi treguar në vitet e fundit, të tregojmë gjëra që na ndihmuan të kualifikohemi”, ka thënë Cana të mërkurën për sajtin e UEFA-s. Dy ndeshjet e fundit ndërmjet Shqipërisë e Zvicrës janë luajtur në ciklin e parafundit eliminator, atë për botërorin e vitit 2014. Zvicra prapë fitoi grupin, ndërsa Shqipëria prapë ishte e parafundit.

Përmbajtja e Shaqirit dhe ngurrimi i Xhakës

Më 11 shtator të vitit 2012, në Luzern, Zvicra fitoi 2-0. Golin e parë e realizoi aktualisht ylli më i madh shqiptar, Xherdan Shaqiri. Pas Shaqirit, për Zvicrën luajtën edhe Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi.

Të gjithë këta lojtarë pritet të jenë në fushë edhe të shtunën, ndoshta edhe Shani Tarashaj. Ishin në presion shqiptarët e Zvicrës para ndeshjes me Shqipërinë. Gjysma e tifozëve në stadium ishin shqiptarë dhe përkrahnin Shqipërinë. Shaqiri nuk e festoi shumë golin, ndërsa nuk munguan as fyerjet ndaj lojtarëve shqiptarë të Zvicrës. Kishte dyshime nëse Xhaka në një rast kishte dashur të shfrytëzonte mundësinë që të shënonte gol, kur rezultati ishte 2-0.

Shqipëria ka pësuar mjaft ndryshime nga ajo kohë. Për të luajtën Samir Ujkani, Andi Lila, Armend Dallku, Lorik Cana, Ansi Agolli, Ervin Bulku, Emiljano Vila, Mërgim Mavraj, ALban Meha, Burim Kukeli, Erjon Bogdani. Ishin aktivizuar edhe Edgar Çani, Jahmir Hyka e Odise Roshi. Lila, Cana, Agolli, Mavraj, Kukeli e Roshi janë të vetmit që janë ftuar për në Europian. Ndeshje emocionale ishte edhe ajo e luajtur më 11 tetor të vitit 2013 në Tiranë, ku Zvicra fitoi 2-1.

Hamdi Salihi kishte realizuar për Shqipërinë në minutën e 89-të nga pika e bardhë, ndërsa për Zvicrën prapë një gol e realizoi Shaqiri, i cili prapë nuk festoi shumë dhe prapë nuk munguan fyerjet ndaj shumicës së lojtarëve shqiptarë të Zvicrës. Shaqiri ishte zëvendësuar në minutën e 53-të pas disa starteve të ashpra ndaj tij. Kishin luajtur edhe Xhaka, Behrami, Xhemaili e Mehmedi, ndërsa në stol qëndroi Pajtim Kasami.

Për Shqipërinë, nga lojtarët që nuk janë në Europian kishin luajtur Bulku, Hamdi Salihi, Valdet Rama, Jahmir Hyka e Agon Mehmeti. Përballja e shtatë me Zvicrën është historike për kuqezinjtë, është ndeshja e saj e parë në një ngjarje të madhe. Në kampin e Shqipërisë shpresojnë për bilanc më të mirë se në ballafaqimet e deritashme me helvetikët. Emocionet e kësaj ndeshjeje do t’i shtojë edhe ballafaqimi i vëllezërve Xhaka: Taulanti luan për Shqipërinë, kurse Graniti për Zvicrën.

Cana: Ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar

Kualifikimi në Europian ka qenë ëndërr për të gjithë shqiptarët, madje edhe për ata që nuk e duan futbollin. Kështu ka thënë kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, në një intervistë për sajtin zyrtar të UEFA-s, të publikuar të mërkurën.

“Kjo ishte një ëndërr për të gjithë, jo vetëm për ne lojtarët, por për të gjithë ata që e duan futbollin e madje edhe për ata që nuk e duan, pasi e kanë ditur se çka prezanton ekipi ynë kombëtar. Unë e di se çka do të thotë kjo për vendin, bashkimi rreth fanellës, rreth stemës dhe mesazhi që kjo dërgon te të tjerët që ne shqiptarët mund t’i japim gjëra të mira Europës, kontinentit tonë e po ashtu edhe botës.

Është arritje e madhe. Përfaqësimi i vendit tonë dhe bërja e njerëzve të lumtur ishte qëllimi ynë kryesor. Gjatë viteve të shumta të sakrificës, rraskapitjes, humbjeve, fitoreve, rënieve e ngritjeve, ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar dhe kemi bërë që ëndrra e shqiptarëve të bëhet realitet”, ka thënë Cana. Për trajnerin Xhani De Biazi, Cana ka thënë se do të lërë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. /Panorama Sport/

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.