Shqipëri – Zvicër, diçka tepër interesante pak para ndeshjes

13:47 | 11 Qershor 2016

Më poshtë mund t’i lexoni disa statistika interesante rreth këtij dueli:

Dueli ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës do të jetë njëri prej më të veçantëve në Evropianin e Francës, i cili nisi të premten. Do të jenë disa futbollistë që do të luajnë kundër vendlindjes së tyre.

Por, pa dyshim se vëmendja do të jetë te vëllezërit Xhaka, të cilët do të përballen në mes vete, një duel që nuk kishte ndodhur më parë në Evropian.

Por, statistika tjera speciale mund t’i shihni më poshtë, të nxjerra nga ueb-faqja zyrtare e UEFA-s, ku veçohet më së shumti dueli ndërmjet “vëllezërve”, siç ka filluar të quhet pasi në këtë ndeshje, e cila zhvillohet sot duke filluar nga ora 15:00, luajnë plot 29 futbollistë shqiptarë, 23 te Shqipëria dhe 6 te Zvicra, përcjell Zëri.

Më poshtë mund t’i lexoni disa statistika interesante rreth këtij dueli:

– Shqipëria nuk ka fituar ende ndaj Zvicrës (1 barazim, 5 humbje);

– Dueli i tyre i fundit ishte ai i kualifikimeve për Botërorin 2014 kur fitonte Zvicra 2:0 në Luzern dhe 2:1 në Tiranë;

– Shqipëria është njëri prej dy ekipeve që debutojnë në Evropian, bashkë me Islandën;

– Shqipëria u kualifikua në Evropian pasi regjistroi 4 fitore, 2 barazime e 2 humbje;

– Kjo është hera e parë që Zvicra shkon në Evropian pas vitit 2008, kur e kishin organizuar këtë eveniment së bashku me Austrinë;

– Mesfushori shqiptar Taulant Xhaka do të përballet me vëllain e tij, Granitin, që luan për Zvicrën. Ata do të bëhen vëllezërit e parë në histori të Evropianit që luajnë kundër njëri-tjetrit;

– Derisa Granit Xhaka, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Shani Tarashaj janë shqiptarë nga Kosova, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi janë shqiptarë nga Maqedonia;

– Futbollistët e Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, Arlind Ajeti, Migjen Basha, Shkëlzen Gashi e Frederik Veseli, janë lindur në Zvicër, derisa bashkëlojtarët e tyre, Naser Aliji, Lorik Cana, Burim Kukeli e Ermir Lenjani, e kaluan fëmijërinë e tyre në shtetin helvetik;

– Kapiteni Cana e bëri debutimin për Kombëtaren ndaj Zvicrës në qershor 2003;

– Trajneri Gianni de Biasi do ta festojë ditëlindjen e 60-të më 16 qershor, një ditë pas ndeshjes me Francën;

– De Biasi kishte punuar me përfaqësuesin zviceran, Xhemaili, në Torino në sezonin 2008/09;

– Cana dhe Berisha kanë luajtur nën drejtimin e trajnerit aktual të Zvicrës, Vladimir Petkovic në Lazio, në periudhën 2012/14;

– Asistenti i De Biasit, Erjon Bogdani, dhe mesfushori i Zvicrës, Behrami, kanë qenë bashkëlojtarë në Verona në sezonin 2004/05;

– Shqiptarët Gashi, Taulant Xhaka (Basel), Kukeli, Sadiku (Zurich), Aliji (Basel, Vaduz), Veseli (Lugano) e Basha (Luzern), kanë luajtur në futbollin zviceran në sezonin 2015/16. Gashi iu bashkua Colorado Rapids më 1 shkurt;

– Naser Aliji e Taulant Xhaka (Shqipëri) dhe Michael Lang e Breel Embolo (Zvicër), luajnë së bashku në Basel.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.