Shqipëri, kreditimi në euro u rrit me 40%

Kreditimi i ekonomisë në monedhën euro ka shënuar rritje në Shqipëri, gjatë muajve të parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, 52 % e totalit të kredisë së re, prej 19.2 miliardë lekë, të disbursuar gjatë kësaj periudhe nga sektori bankar ishte në monedhën euro. Krahasuar me një vit më parë,…

Lajme

10/04/2023 20:40

Kreditimi i ekonomisë në monedhën euro ka shënuar rritje në Shqipëri, gjatë muajve të parë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, 52 % e totalit të kredisë së re, prej 19.2 miliardë lekë, të disbursuar gjatë kësaj periudhe nga sektori bankar ishte në monedhën euro.

Krahasuar me një vit më parë, kredia e re në euro u rrit me rreth 40 %, duke vijuar të shfaqë ritme të larta të rritjes për të dytin vit radhazi.

BSH-ja vëren se, kredia në euro po luan një rol dominues në rritjen e huasë për ekonominë.

Sipas BSH-së, në dy vitet e fundit, edhe depozitat në euro po rriten me ritme më të larta se ato në lekë. Kjo ka rritur fondet e lira në euro për sektorin bankar, duke krijuar më shumë ofertë për kredi në monedhën europiane.

Po ashtu, BSH-ja shpjegon se, rritja ka ardhur kryesisht nga kredia për blerjen e banesave në euro.

Në monedhën europiane, rritja e normave të interesit ka qenë më e zbutur, sepse sektori bankar është shumë likuid në këtë monedhë, falë rritjes së lartë të depozitave në euro.

Gjithashtu, presionet për rritjen e kostos së fondeve në euro kanë qenë pak më të lehta, sepse klientët nuk kanë alternativa konkurruese investimi, siç janë bonot dhe obligacionet e thesarit për investimet në lekë.

Në këtë mënyrë, kredia në euro duket se po vazhdon të rritet, edhe në inercinë e dëshirës së madhe të shqiptarëve për të investuar në prona.