Shqipëri: 80% e zjarreve me dashje por jo të qëllimshme

Vendi është përfshirë këtë verë të nxehtë nga një mori zjarresh, më i madhi prej të cilëve zgjati 48 orë. Shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi sqaron se situata është përballur më së miri.

Lajme

07/08/2015 17:32

“Kanë qenë thuajse 3-4 vatra zjarri në ditë, me përmasa të mëdha në relievin malor dhe kodrinor të vendit, duke filluar nga Melgusha e Shkodrës, Thethi, Shëngjini, Kakariqi, zona e Mallakastrës dhe Lushnjes. Me mjetet dhe operacionet tokësore, Emergjenca Civile ka marrë të gjitha masat, në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë dhe ka mundësuar fikjen e zjarrit që zgjati më shumë, 48 orë”, thotë Premçi.

Më shumë se 80 për qind e zjarreve kanë qenë me dashje, vijon Premçi, por jo të qëllimshme.

“Mbi 80 për qind e rasteve janë me dashje, por duhet bërë një dallim: zjarri me dashje dhe ai me qëllim. Unë mund të djeg mbeturinat në fund të fermës time për të djegur bimësinë e keqe dhe këtë e bëj me dashje. Por unë nuk kam qëllim në vetvete që të djeg ullishtet apo fermat e të tjerëve”, thotë Premçi.

Kreu i Emergjencave i kërkon policisë pyjore të vendosë gjoba për çdo fermer që ndez zjarre dhe të jetë më e ashpër në zbatimin e ligjit.

“Strukturat e Ministrisë së Mjedisit, qoftë Policia Pyjore, apo Inspektoriati i Mjedisit duhet t’i ndëshkojnë me masa administrative të gjithë ata që ndezin zjarre, qoftë edhe në parcelat e tyre. Gjithashtu, ato duhet t’i denoncojnë të gjithë ata njerëz që ndezin zjarrin në pyje”, thotë Premçi.

Shqipëria i ka shpëtuar një përmbytjeje, të paralajmëruar së fundmi nga institucioni meteorologjik i Sllovakisë, ndryshe nga sa ndodhi në vendet fqinje.

“Ditët e fundit u prit edhe fenomeni i përmbytjeve për shkak të njoftimeve nga Qendra e Monitorimit në Sllovaki. Kryesisht ishte për Kosovën dhe Maqedoninë, ndërsa Shqipëria do varionte në rajone të veçanta nga 15 deri në 60 milimetra shi. U shfaq në zonën e Gramshit dhe Ersekës, por nuk pati dëme në të gjithë vendin. Madje, dëmet kanë qenë të papërfillshme në raport me atë që pritej dhe atë që ndodhi në Tetovë apo në Prishtinë”, shton Premçi. /TCh