Ministri tha se s’ka ikje të personelit shëndetësor, por QKUK-ja po funksionon me vetëm 48 anesteziologë

Krahasuar me katër vite më parë kur në Kosovë tre anesteziologë e kishin lëshuar punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sot më nuk kemi të bëjmë me këtë problem. Mirëpo, një problem e që është mjaftë shqetësues ka të bëjë me numrin e vogël të anesteziologëve në QKUK. Në lidhje me informacionet për…

Lajme

18/09/2024 12:21

Krahasuar me katër vite më parë kur në Kosovë tre anesteziologë e kishin lëshuar punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sot më nuk kemi të bëjmë me këtë problem.

Mirëpo, një problem e që është mjaftë shqetësues ka të bëjë me numrin e vogël të anesteziologëve në QKUK.

Në lidhje me informacionet për mungesë të anesteziologëve, lajmi.net ka dërguar pyetje tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), të pyetur rreth asaj se sa është numri i anesteziologëve të cilët funksionojnë në kuadër të QKUK-së.

Sipas ShSKUK-së në të gjitha klinikat anesteziologë aktiv janë vetëm 48.

“Ne QKUK për momentin funksionojnë 48 anesteziologë”, kanë thënë nga SHSKUK.

Ndërkaq nga Oda e Mjekëve të Kosovës thanë se nuk ka të dhëna për largimin e Specialistëve të Anesteziologjisë nga Kosova.

“Nga të dhënat tona të cilat bazohen në lëshimin e Certifikatës mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale, dokument të cilin e kërkojnë mjekët që dëshirojnë të punësohen jashtë Kosovës nuk ka të dhëna për largimin e Specialistëve të Anesteziologjisë nga Kosova”, kanë thënë nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Mes tjerash nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë thënë se në tërë Kosovën janë të regjistruar në total 146 mjekë specialist anesteziologë.

“Në regjistrin e Odës së Mjekëve të Kosovës janë në total 146 mjekë specialist Anesteziologë”, kanë thënë nga OMK-ja.

Se Kosova po përballet vazhdimisht me ikjen e mjekëve, kjo është e ditur.

Mospërmbushja e kushteve të cilat kërkojnë ata, problemet e shumta në kuadër të shëndetësisë kanë ndikuar që shumë prej tyre të zgjedhin largimin nga Kosova, e që puna e tyre të fokusohet në vende të ndryshme të Evropës, por edhe më gjerë.

Madje ka raste kur si shkak i mungesës së anesteziologëve nëpër klinikat e QKUK-së, por edhe në spitalet e qyteteve të Kosovës të shtyhen operacione, të mos realizohen fare, e shumë prej qytetarëve të mbesin në mëshirën e “zgjidhjes” së këtij problem.

Madje pikërisht kjo çështje ngriti debat në seancën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ngriti si problem çështjen e ikjes së personelit shëndetësorë nga Kosova, ku përfshihen doktorët e infermierët.

Ai tha se brenda tre vite e gjysmë tre mijë e 860 profesionistë shëndetësore kanë ikur nga Kosova.

“Mbi tre mijë e 860 profesionistë shëndetësorë kanë ikur nga Kosova dhe shumë të tjerë nga sektori publik në atë privat dhe kjo është alarmante. Ikja e tyre është shndërruar në dukuri shqetësuese për sistemin shëndetësor sepse ne nuk mund të prodhojmë profesionistë shëndetësorë aq sa po ikin nga Kosova dhe kjo shpejt do ta dërgojë në kollaps sistemin tonë shëndetësor. Kjo është pasojë e keqqeverisjes ku edhe me statutin e SHSKUK-së parashihet mbyllja e disa prej shërbimeve në spitale regjiionale”, tha ai.

Sipas Haxhiut, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë e ka rënduar gjendjen.

“Aftësia e qeverisë, keqqeverisja në shëndetësi, korrupsioni në këtë sektor kanë rënduar edhe më shumë gjendjen në këtë sektor. Listat e gjata të pritjes për operacione dhe procedura diagnostikuese, buxheti për trajtim jashtë vendit i pamjaftueshëm, mungesa e barnave dhe materialit mjekësor më nuk përbëjnë lajm për këtë qeveri dhe për këtë menaxhim të shëndetësisë. Rritja e buxhetit për barna është në sinkron në rritjen e hajnisë dhe korrupsionit në shëndetësi, ndryshe nuk ka si të justifikohet, edhe me rritë buxhetin për shëndetësi dhe barna edhe me vazhdu me pasë mungesa të njëjta”, tha më tej Haxhiu.

E pas kësaj ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tha se deputeti Haxhiu po jep informacione të pasakta, e që sipas tij trend ii ikjes së mjekëve këtë vit ka pas rënie.

“Haxhiu i tha disa të pavërteta. Desha t’i tregoj se me informacione të pasakta i tha disa të pavërteta dhe se kjo  nuk është korrekte. Sivjet trendi i ikjes së mjekëve është ulur, vetëm shikoni shifrat. Por Haxhiu thotë të pavërteta. Në shtetet e rajonit si në Maqedoninë e Veriut, ky numër është dyfish me i madh. Këtë vit ka trend të uljes dhe se kjo vjen si pasojë e rritjes së pagave dhe kushteve të krijuara, tha Vitia./Lajmi.net/