Shpresa të mëdha tek vetingu në drejtësi, procesi shihet si i domosdoshëm

Qeveria e re ka paralajmëruar se ndër prioritet e qeverisjes Kurti do të jetë fillimi i Vetingut në polici, prokurori, gjyqësi, AKI, ATK, Dogana dhe Njësi të Inteligjencës Financiare.

Lajme

20/02/2020 13:08

Njohësit e drejtësisë në vend e shohin të domosdoshme një proces të tillë pasi do të mundësonte ndalimin e korrupsionit në institucione e shoqëri.

Albin Kurti – Do të ndërmerren hapa në drejtim të dekriminalizimit dhe kthimit të besimit në sistemin e drejtësisë dhe atij të sigurisë, përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta për luftim të korrupsionit.

Ky është njëri ndër prioritet e qeverisë Kurti, për çfarë është thënë se afati orientues për vetingun e parë të përgjithshëm është 24 muaj. E njohësit e drejtësisë e vlerësojnë një proces të tillë në Kosovë. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha Radio Kosovës se vetingu synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë institucioneve të shtetit.

“Ne kemi kërkuar në 7-8 vitet e fundit që sistemi i drejtësisë e ai i sigurisë të kalojnë në një proces të verifikimit të vetingut, me qëllim të pastrimit të figurave të zyrtarëve të cilët qoftë për shkak të integritetit, apo të kaluarës së tyre në një farë mënyre nuk janë kompaktibil për të ushtruar funksionet e tyre në sistemin e drejtësisë”, tha Miftaraj.

Edhe politologu Ramush Tahiri thotë për Radio Kosovën se lufta kundër korrupsionit do të jetë një ndër pikat më të forta të qeverisë Kurti.

“Në këtë vijë vetingun që e ka paralajmëruar Qeveria Kurti, do të jetë plotësisht i suksesshëm, sepse nuk ka asnjë person të ndonjë organizate apo asnjë institucion që është mbi ligjin ose mbi popullin ose mbi normat ligjore apo kushtetuese. Vetingu duhet të zbatohet mirë, drejt, duhet të mos jetë selektiv. Pa veting nuk ka ç’kapje të shtetit, sepse vetingu pastron figurat sidomos të atyre që do të kryejnë punë të rëndësishme në shtet, sidomos në polici, hetuesi, gjykatë”, tha ai.

Ndërsa, sipas Miftarjat, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që vetingu të ketë sukses duhet të fillohet me amendamentimin e Kushtetutës dhe miratimi i një ligji adekuat që do të përcaktonte kriteret, procedurat dhe mënyrën se si do të zhvillohej ky proces.

Ndryshe, përmes vetingut parashihet plotësimi i formularëve që kërkon deklarimin e pasurisë të personit dhe familjarëve të tij, përderisa të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale.

Sipas planit qeverisës, vetingu fillimisht do të jetë i përgjithshëm, mandej i vazhdueshëm dhe do të kryhet bashkë me partnerët ndërkombëtarë.