Shpjegimi i Isa Mustafës për rritjen e përkrahjes elektorale për Vetëvendosjen

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, si dhe trendin në rritje të partisë së Albin Kurtit.

Lajme

06/01/2021 20:16

Në një intervistë ekskluzive për lajmi.net, Mustafa ka dhënë opinionin e tij në lidhje me atë se pse është rritur përkrahja për partinë e Kurtit.

Mustafa thotë se tek qytetarët është krijuar një përceptim i tillë, ku pavarësisht ofertave të dhëna nga partitë, ata kërkojnë ndryshim.

Për këtë, ai merr edhe një shembull kur ishin mbajtur zgjedhjet në Prishtinë, në kohën kur ai kishte humbur nga Shpend Ahmeti.

“Nga ajo që unë kam pa dhe vërejmë në politikat tona, është që qytetarët kërkojnë ndryshime, diçka që ata e konceptojnë apo kanë një përceptim të një ndryshimi. Përceptimi i tillë i ndryshimit ka qenë në Prishtinë kur unë kam qenë kryetar i komunës dhe fitoi Vetëvendosja. Ne kishim projektet e gatshme edhe të Termokosit për nxemjet qëndrore sepse atëherë përfundonte, për Ujësjellësin, për ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Shkabaj. Unë iu tregojsha se fabrika është duke u ndërtuar, se ne kemi investuar kemi siguruar kaq milionë nga FMN dhe nga Banka Botërore, dhe ata më pak më nxishin besë mua për atë, sesa një çepi virtual që zoti Shpend Ahmeti e ipte, sepse përceptimi ishte që tash është mirë me u ba ndryshimi, edhe se tjerët mund të ofrojnë më shumë”, thotë Mustafa.

Sidoqoftë,  Mustafa thotë se në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, sipas tij VV s’mund të ofrojë as për afër ato çka i ofron LDK.

Në këtë kontekst, Mustafa përmend raportet më ndërkombëtarët dhe ofertat për ekonomi.

“Unë mendoj që në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, nuk mundet VV të ofrojë asgjë jo më shumë, por larg mbetet më prapa asaj që ka ofruar dhe ofron LDK-ja në pikëpamje të bashkëpunimit ndërkombëtar. Sepse është tregu që ne gjithmonë kemi mbajtë një bashkëpunim të afërt, korrekt, dhe pozitiv me SHBA-të dhe BE-të”, ka thënë Mustafa në këtë intervistë për lajmi.net.

Ai thotë  se VV sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit nuk ka asnjë alternativë për një zgjidhje konkrete.

“Kemi disa probleme që i prekin qytetarët, është problemi i papunësisë që është problem i madh. Këtë problem në mënyrë magjike s’mund ta zgjidh VV mirëpo as LDK, sepse askush nuk e ka shkopin magjik edhe me i thanë qytetarëve që unë vij në qeverisje nesër  dhe e zvogëloj papunësinë nga 26 në 10 për qind apo 8 apo 7 përqind, sepse ato vende pune nuk janë askund. Është problemi i krimit dhe korrupsionit, problem që po vazhdon të jetë edhe më tutje. Unë s’kam parë asnjë zgjidhje konkrete që VV mund ta ofrojë për këtë. Mirëpo qytetarët i besojnë parullave dhe fjalëve nganjëherë, edhe thotë që këta s’mund ta zgjidhen deri sot dhe vijnë tjerët e zgjedhin. Këtë nuk e zgjedh qeveria, mirëpo drejtësia, prokuroria e gjyqësori. Është krijuar një lloj fryme që është më shumë artificiale se konkrete. Ne duhet ta sqarojmë këtë frymë me oferta konkrete. Është përgjegjësi e cdo qytetari që të mendojë se a duhet ky vend të zhvillohet me një ekonomi të tregut apo me një ekonomi të përzier që ka elemente socialiste që i kemi kaluar dhe i kemi lënë prapa”, thotë ai. /Lajmi.net/

YouTube player