Shpifjet na dëmtuan
Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, thotë se kjo parti nuk mund të ketë bashkëpunim me LDK’në përderisa ajo t’i qartësojë mirë dhe saktë ‘shpifjet histerike ndaj AAK’së’. Ramadani thotë se AAK synon që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta udhëheqë Qeverinë.

Lajme
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se kjo parti u dëmtua në zgjedhje nga shpifjet, por edhe nga komoditeti.
Ramadan ka thënë për “Epoka e Re” se komoditeti i panevojshëm në disa komuna, bashkë me gabimet e mundshme gjatë qeverisjes si dhe zbehja e rolit opozitar kanë ndikuar në rezultatin e AAK’së në zgjedhjet lokale.
“Aleanca është në fazën e vlerësimeve dhe analizimit të situatës së krijuar nga zgjedhjet e fundit lokale”.
“Përshtypja ime është më shumë e bazuar në tri elemente kryesore: Së pari, në një komoditet të panevojshëm që kanë krijuar disa nga komunat e udhëhequra nga Aleanca, bashkë me gabimet e mundshme gjatë qeverisjes”.
“Së dyti, ka ekzistuar për një kohë të gjatë një strategji e shpifjeve histerike ndaj udhëheqjes së Aleancës, shpifje këto që kanë pasur një ndikim të caktuar. Ne nuk kemi reaguar në mënyrën e duhur, duke besuar se këto shpifje janë të papranueshme edhe tek qytetarët”.
“Së treti, Aleanca ka pasur një zbehje të rolit opozitar të nevojshëm, sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Tekefundit, nuk është zhvilluar roli i duhur i Aleancës në raport me nivelin e qeverisjes së keqe që po vazhdon të ndodhë në Kosovë”.
Ramadani mendon se rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk do të ndikojë negativisht për AAK’në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Jam i bindur se ndikimi do të jetë pozitiv, pikërisht për faktin se Aleanca ka hapur sytë dhe është shumë më e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet”.
Deputeti Ramadani ka thënë se AAK synon që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta udhëheqë Qeverinë ndërsa, sipas tij, kjo parti nuk mund të ketë bashkëpunim me LDK’në përderisa ajo t’i qartësojë mirë dhe saktë ‘shpifjet histerike ndaj AAK’së’.
Burim Ramadani ka thënë se koalicioni me PDK’në në Pejë dhe disa komuna tjera nuk ka funksionuar.
“E vërteta është se jo vetëm në Pejë, por edhe në komunat e tjera që kemi qenë në balotazh duket se PDK’ja nuk i ka mbështetur kandidatët e Aleancës”.