Shpëtohen 300 refugjatë sirianë

Rojat bregdetare të Qipros kanë arritur të shpëtojnë 300 emigrantët sirianë të ngujuar në mes të detit Mesdhe, në një anije të vogël shpëtimi.

Bota

26/09/2014 13:38

Autoritetet qipriote u njoftuan të enjten në mesdite përmes valëve të radios për bllokimin e një anije me refugjatë në detin Mesdhe.

Anija e tyre kishte pësuar prishje dhe kishte mbetur në deti, rreth 100 kilometra nga qyteti turistik qipriot, Paphos.

Në vendngjarje ishin shkuar disa patrulla bregdetare me anijet e tyre, si dhe disa helikopterë ushtarakë.

Emigrantët, prej të cilëve 52 fëmijë, ndërsa pjesa tjetër shumica gra, u sollën të premten në orët e hershme të mëngjesit në portin Limassol, me anijen e udhëtarëve Salamis Filoxenia.

Ndërsa 300 pasagjerët rusë që po udhëtonin nga Haifa e Izraelit dhe ndodheshin në anijen Salamis Filoxenia, pranuan të vendosen në hotelet e qytetit Limassol, derisa të bëhej shpëtimi i refugjatëve sirianë duke shfrytëzuar anijen me të cilën ata udhëtonin.    

Sipas BBC-së, operacioni ishte mjaft i vështirë, por i përfunduar me sukses, ndërsa kompania që operon me anijen që shpëtoi emigrantët ka njoftuar se përkundër humbjeve që i janë shkaktuar, disa qindra mijëra euro, është e lumtur që është arritur shpëtimi i emigrantëve.

Gjatë tri vjetëve të fundit, si pasojë e kryengritjeve dhe luftërave në Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme, janë mbytur në Mesdhe disa mijë refugjatë, në përpjekje për të arritur në tokën e Evropës. /lajmi.net/