Shpërthen ambasadorja gjermane: Mjerimi pesëmujor duhet të merr fund!

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, thotë se Kosovës i nevojitet një Qeveri e re stabile, e cila do ta ketë shumicën e ulëseve në Parlament. Sipas saj, sfidat që po e presin Kosovën gjatë muajve në vijim janë të shumta dhe urgjente.

Lajme

03/11/2014 08:35

Në një intervistë dhënë për “Zëri”, ambasadorja Viets e ka quajtur “mjerim” pesë-mujorin e Kosovës pa institucione.

Ajo ka thënë se demokracia nënkupton dialog edhe me kundërshtarët politikë, dhe kush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sipas saj “ka dështuar në mandatin e tyre”.

“Ky dështim është një mjerim për Kosovë. Kosova s’ka llogari të përjetojë një ngecje kaq të gjatë. Sfidat dhe detyra që po e presin, të cilat janë të nevojshme për një Qeveri funksionale, janë të shumta dhe tejet urgjente.

“Shpresojmë se politikanët në Kosovë do t’i lënë ansh dallimet, armiqësitë dhe kokëfortësinë dhe të pajtohen për krijimin e një Parlamenti të ri dhe një Qeverie të re për hir të qytetarëve të tyre, të popullit të Kosovës, të cilët meritojnë më shumë se kaq”.

“Pa marrë parasysh se çfarë ju mendoni për kundërshtarin tuaj politik, në demokraci është kryesore të bisedohet dhe të negociohet me të gjithë partitë, që kanë për qëllim të arrihet një zgjidhje. Një gjë të tillë reprezentuesit e zgjedhur nga populli ia kanë borxh votuesve të tyre. Nëse ata refuzojnë të ulen dhe së paku të bisedojnë, ata kanë dështuar në mandatin e tyre”.

Ambasadorja gjermane ka thënë se Kosovës i duhet një Qeveri stabile, me një shumicë, e cila do të mund të merrte vendime të rëndësishme për Kosovën. Ajo nuk ka paragjykuar se cilat nga partitë do të mund të formonin koalicionin qeverisës.

“Ajo çfarë populli i Kosovës ka nevojë tani është një Qeveri e re stabile, e përkushtuar për t’i shërbyer popullit dhe për t’i trajtuar detyrat e pafund që janë përpara. Kështu që të gjithë ne shpresojmë për një shumicë stabile të ulëseve në Parlament, që nevojiten për të kryer të gjitha punët legjislative që kanë mbetur mbrapa qe një kohë të gjatë, pa marrë parasysh cilat parti krijojnë koalicionin”.

Ambasadorja Viets ka kritikuar edhe liderët kosovarë, të cilët për pesë muaj nuk arritën të gjejnë zgjidhje politike për krijimin e institucioneve të reja dhe pranon se vonesa në krijimin e institucioneve do ta shtyjë afatin e liberalizimit të vizave për vendin, kështu që kosovarët as në vitin 2015 nuk do të mundë të lëvizin lirshëm për në BE.

“Ne nuk presim liberalizimin e vizave për kosovarët gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë ajo për Zëri.