Shpërblimi për punëtorin
Menaxhmenti i Postës së Kosovës Sh.A. ka shpërblyer punonjësin Avdyl Tërshana për suksesin në ofrimin e shërbimeve postare.
Lajme
Menaxhmenti i Postës së Kosovës Sh.A. ka shpërblyer të premten punonjësin Avdyl Tërshana për suksesin e arritur në ofrimin e shërbimeve postare.
Ai veçanërisht është dalluar në ofrimin e shërbimit të postës së shpejtë EMS (Express Mail Service), në Zyrën Postare Nr. 1 në qytetin e Ferizajt, ku punon si sportelist.
Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha ka pritur sot në zyrën e tij Avdyl Tërshanën për ta përgëzuar për punë të zellshme dhe i ka ndarë një mirënjohje dhe një dhuratë simbolike.
“Jemi krenar me suksesin e z. Tërshana. Suksesi i secilit punëtor të Postës së Kosovës do të vlerësohet dhe shpërblehet”, ka thënë kryeshefi Hoxha.
Ai ka falënderuar edhe Menaxherin e Postës për Rajonin e Ferizajt, Luan Jahiri.
EMS është shërbimi më i shpejtë prej të gjitha shërbimeve postare dhe ofron sigurinë më të lartë. Ky shërbim, që ofrohet në çdo zyre postare, përdoret për dërgimin e dokumenteve dhe mallrave jashtë Kosovës, por Posta ofron edhe EMS-në vendore për tërë territorin e Kosovës, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Posta e Kosovës Sh.A.