Shpërblehet Nora Gjakova dhe Donjeta Sadiku

Fituesja e medaljes së bronztë olimpike, Nora Gjakova bashkë me disa pjesëmarrës tjerë në Lojërat Olimpike Evropiane që janë mbajtur në Baku, të Azerbejxhanit, është pritur nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Sport

03/07/2015 14:55

Me këtë rast iu dha shpërblimi sipas Rregullores për Ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për Sportistët që arrijnë rezultatet kulmore në Garat Ndërkombëtare.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se pjesëmarrja e sportistëve nga Kosova është përcjellë me vëmendje nga sportdashësit dhe më gjerë.

“Ne ju kemi ndjekë nga këtu, me shumë interesim jo vetëm njerëzit e sportit por në përgjithësi njerëzit dhe mediat ndoshta në disa moment janë shndërruar në një presion ndaj jush.” tha Shala.

Ai tha gjithashtu se rezultatet nuk arrihen për një ditë dhe që këto gara kanë zbuluar mundësitë, favoret dhe mungesat që i ka shteti i Kosovës.

Fituesja e medaljes së parë olimpike për shtetin e Kosovës, Nora Gjakova deklaroi që kjo medalje ka ardhë në momentin e duhur dhe se ata dëshmuan që vendi jonë ka mundësi të mëdha për arritje ndërkombëtare.

“Kam shkuar si e kualifikuar dhe nuk kam menduar që të fitoj medalje mirëpo kjo medalje ka ardhë në momentin e duhur, mu atëherë kur Kosova është pranu në komitetin olimpik dhe ne e dëshmuam që kemi mundësi të mëdha në sportin në përgjithësi.” përfundoi Gjakova.

Sipas saj, shenja pozitive janë që puna e tyre po shpërblehet edhe në mënyrë financiare sepse sportistët përveç kënaqësisë shpirtërore kur fitojnë medalje është kënaqësi kur ajo shpërblehet edhe në mënyrë financiare.

Trajneri i reprezentacionit të xhudos, Driton Kuka tha se kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Tomas Bach ka shprehur përkrahje të pa rezervë për sportistët e Kosovës.

“Ishte kënaqësi që vetë njeriu i parë i KON-it e përgëzoj Norën dhe ka shprehë dëshirë dhe në anën tjetër pa rezervë do të përkrahur të gjithë sportistët që kanë nivel nga shteti i Kosovës” tha Kuka.

Përveç Nora Gjakovës me shpërblime u nderuan edhe boksierja e përfaqësueses së Kosovës, Donjeta Sadiku, e cila fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë e juniorëve, duke u rënditur boksierja e dytë në botë në kategorinë e saj.

Donjeta Sadiku pranon çmim nga MKRS