Shpendi prezanton ekipin e tij

Kryetari i Prishtinës ka prezantuar përbërjen e ekipit të tij, me të cilin do ta udhëheqë Kryeqytetin në katër vjetët e ardhshme. Shpend Ahmeti thotë se përzgjedhja e ekipit është bërë e tillë që të arrihet të përmbushen zotimet që janë dhënë gjatë fushatës.

Lajme

27/12/2013 11:34

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka prezantuar sot ekipin udhëheqës të Drejtorive me të cilin do ta qeverisë Prishtinën në mandatin e ri katërvjeçar.

Ahmeti, i cili zyrtarisht ka filluar punën si Kryetar i ri i Komunës së Prishtinës, ka thënë se përzgjedhja e ekipit është bërë e tillë që të arrihet të përmbushen zotimet që janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

“Koncepti ka qenë që ta zgjedhim një ekip i cili mund t`i përmbushë zotimet të cilat i kemi dhënë”.

“Janë njerëzit ndër më të zotët që dimë ne në fushat e tyre”.

“Sot kam nderin që para jush të prezantoj ekipin qeverisës, posaçërisht në fazën e parë të implementimit të programit tonë”.

 

Udhëheqësit e Drejtorive Komunale:

Dardan Sejdiu (Nënkryetar i Komunës)

Fitore Pacolli-Dalipi (Shefe e Kabinetit)

Liburn Aliu (Drejtor i Urbanizmit)

Arben Vitia (Drejtor i Shëndetësisë)

Blerta Zeqiri (Drejtoreshë e Kulturës Rinisë dhe Sportit)

Xhelal Sfeqla ( Drejtor i Inspeksionit)

Ardian Gashi (Drejtor për Shërbime Publike)

Nora Kelemndi (Drejtoreshë e Kadastrit)

Jusuf Thaçi (Drejtor i Arsimit)

 

Rolin si ushtrues detyre do ta kenë si në vijim:

Dardan Sejdiu (Ushtrues Detyre i Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik)

Besnik Bislimi (Ushtrues Detyre i Drejtorisë së Financave)

Muhedin Nushi (Ushtrues  Detyre i Drejtorisë së Administratës)

Hysen Durmishi (Ushtrues Detyre i Drejtorisë së Infrastrukturës)

Për Drejtorinë e Financave, Administratës, Infrastrukturës dhe asaj të Zhvillimit Ekonomik, Shpend Ahmeti  ka thënë se këto një kohë do të udhëhiqen nga ushtrues detyre.

“Për tri drejtoritë, për shkak të gjendjes pak më të rëndë dhe nevojave për një informim më të mirë të ekipit tonë, kemi vendosur që të formojmë ekipe menaxhuese, të cilat do të kenë detyrë që brenda një periudhe 45 ditore të na përgatisin një raport mbi gjendjen e përgjithshme në këto Drejtori, në mënyrë që të procedojmë pastaj me hapat e mëtutjeshëm”.

“Besnik Bislimi me një ekip prej 5 anëtarëve të cilët gjatë muajit të ardhshëm do të bëjnë hulumtim, do të na rekomandojnë për hapat e mëtutjeshëm sa i përket gjendjes së financave dhe shpenzimeve të vazhdueshme në Komunën e Prishtinës”.

“Gjithashtu, edhe Muhedini e ka krijuar një ekip prej katër anëtarësh të cilët do ta përgatisin një raport mbi gjendjen e administratës dhe po ashtu mbi gjendjen e shërbimeve të cilat do t`i ofrohen qytetarëve që të procedojnë me reformat tona, në mënyrë që ta kemi shërbimin ndaj qytetarëve sa më të mirë”.

“Hysenit i kemi kërkuar që të jetë ushtrues detyre në mënyrë që të na i rishikojë kontratat, projektet, proceset e menaxhimit, në mënyrë që pastaj pas kësaj periudhe tranzitore të jemi në gjendje shumë më të mirë të vendosim se si duhet të procedojmë më tutje”.