Shpendi po vjen
Sipas Ahmetit, shumë qytetarë po i bashkohen angazhimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje “drejt realizimit të të drejtave dhe mbrojtjes së interesave të përbashkëta”.
Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u shpreh i bindur se fitorja e tij në Kryeqytet do të vijë më 3 nëntor.
Këtë pritje, Ahmeti e shfaqi mbrëmë në një takim me banorët e Lagjes së Muhaxherëve në Prishtinë.
“Programi i Vetëvendosjes dhe ndryshimet, që do të vijnë më 3 nëntor në Prishtinë, tashmë janë bërë çështjet më të diskutuara nga qytetarët e gjithandej Prishtinës”, tha Ahmeti.
Sipas tij, nga tubimet që po organizohen lagje më lagje, shumë qytetarë po i bashkohen angazhimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje drejt realizimit të të drejtave dhe mbrojtjes së interesave të përbashkëta.
Më pas u bashkëbisedua për problemet në Lagjen e Muhaxherëve, si dhe për programin e Vetëvendosjes për Prishtinën.
“U fol shumë edhe për gjendjen e mjerueshme, në të cilën është katandisur Prishtina gjatë 14 vjetëve të fundit, edhe për domosdoshmërinë e ndryshimeve”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.