Shpendi paralajmëron ndërtuesit ilegalë
Shpend Ahmeti thotë se ndërtuesit pa leje e kanë shfrytëzuar vakuumin institucional për të vazhduar me ndërtimet. Ai paralajmëron se pas datës 26 dhjetor nuk do të lejohen këto ndërtime.
Lajme
Kryetari i sapozgjedhur i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë thirrje që të ndalen ndërtimet pa leje, pasi sipas tij këto ndërtime nuk do të tolerohen pas datës 26 dhjetor.
Në një konferencë për media, Shpend Ahmeti, i cili pritet të bëjë betimin para asamblesë komunale më 26 dhjetor ka thënë se për shkak të vakuumit institucional ndërtuesit pa leje po vazhdojnë të punojnë.
“U bëj apel të gjithë ndërtuesve që t`i ndalin këto ndërtime pa leje sepse këto nuk do të tolerohen pas datës 26 dhjetor”.
“Të gjitha këto edhe pse janë ndërtuar në këtë kohë vakuumi institucional, mbesin të paligjshme dhe ato të cilat nuk janë me leje patjetër se drejt tyre do të zbatohet ligji”.
“Është e qartë se një numër i këtyre ndërtimeve është duke u bërë në mënyrë të paligjshme”.
“Kemi marrë këto ditë mesazhe të shumta me fotografi të ndërtimeve të cilat kanë marrë vrull këto ditë. Si duket e kanë shfrytëzuar një lloj vakuumi institucional të krijuar nga ndërrimi i pushteteve në komunën e Prishtinës”.
“Zgjedhjet kanë përfunduar në 1 dhjetor kur është marrë vesh edhe rezultati ndërsa betimin zyrtarisht unë do ta bëj bashkë me kuvendin e ri komunal të Prishtinës më 26 dhjetor” .
“Po duket se kjo kohë po shfrytëzohet nga ndërtuesit e ndryshëm që një pjesë të ndërtimeve pa leje t`i punojnë e t`i ndërtojnë sa më shumë gjatë kësaj periudhe pastaj për të thënë se e kanë ndërtuar dhe nuk kemi çfarë të bëjmë dhe kështu vazhdon”.
Ahmeti gjithashtu e ka inkurajuar Inspektoratin të vazhdojë punën sepse “koha nuk ka ndalur më 1 dhjetor”.
“Në komunën e Prishtinës momentalisht është duke u bërë para auditimi nga auditori i përgjithshëm.
“Raporti i para auditimit që është bërë për nëntë muajt e vitit 2013 pothuajse është gati mirëpo ne me punën tonë në komunë do të vlerësojmë nevojën edhe për auditimet tjera jo vetëm në auditime financiare por edhe në auditivet e urbanizmit dhënies së lejeve dhe të gjitha gjërave që kanë ndodhur në komunë e Prishtinës”.
“Kjo jo për të treguar se në komunë e Prishtinës ky pushtet ka punuar keq apo mirë pa kurrfarë paragjykimi por po e themi se kanë nevojë qytetarët dhe banorët e Prishtinës në përgjithësi të dinë se çka ka ndodhur në komunë e tyre dhe natyrisht të zbatohet ligji deri në fund”.
“Ne pajtohemi që ka një kaos urbanisitik të ndërtimeve dhe tani siç e kam thënë shumë herë në fushatë ka ardhur koha që të shpëtojmë atë që mundemi ta shpëtojmë. Por këtë mund ta bëjmë por këta ndërtuesit që vazhdojnë edhe në këtë periudhë të mendojnë se këtu mund të vazhdohet në këtë mënyrë këta do të ballafaqohen me ligjin në mënyrën më të rreptë”.
“Do ta kuptoni të gjithë ekipin javën e ardhshme pas betimit që në ditën e nesërme do ta bëjmë publik kur t`i emëroj të gjithë drejtorët dhe do të jemi gjithmonë në radhën e parë në krah të punëtorëve sepse mendoi se nevojitet të dërgohet edhe një mesazh politik se këto gjëra nuk do të tolerohen”, ka thënë Shpend Ahmeti.