Shpendi në mediat turke: Kryetari i Prishtinës shkon në punë me autobus (Video)

I pari i kryeqytetit kosovar Shpend Ahmeti është bërë protagonist në mediat turke. Ai paraqitet aty si një kryetar kryeqyteti, jo i zakonshëm, sidomos për vendet e Ballkanit, ku politikanët bëjnë jetë luksi. 

Lajme

02/11/2014 16:41

Shpendi Ahmeti në një kronikë dy minutëshe të realizuar nga korrospodenti i agjencisë turke të lajmeve “Cihan”, Ervin Shkullaku, shihet teksa del këmbë nga shtëpia e tij në orën 8 për të pritur autobusin e transportit publik, ku si një qytetar i zakonshëm shkon në vendin e tij të punës, transmeton lajmi.net.

Kronika thotë paraardhësi i tij Isa Mustafa pwr dallim nga kryetari aktual, shfrytëzonte një veturë në vlerë 80 mijë euro, në një vend ku më shumë se 30 për qind e popullsisë janë të papunë.

Tutje kronika thotë: “I diplomuari i Harvardit Shpend Ahmeti, është duke punuar për të krijuar korsi për biçikleta për të zvogëluar numrin e veturave në qendër të qytetit dhe gjithashtu një projekt për të liruar trotuaret nga parkimi i veturave”.

Kryetari Ahmeti u rekomandon qytetarëve që sa më shumë të përdorin transportin publik, në mënyrë që të kemi sa më pak vetura në qytet, pasi ato përveç tjerash janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit. (lajmi.net)