Shpendi kërkon sqarime shtesë

Shpend Ahmeti po e vazhdon të veten. Ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me rrezikshmërinë nga sistemi i ngrohjes në shkolla. Ai lyp përgjigje të shpejtë, për shkaqe shëndetësore të fëmijëve.

Lajme

11/02/2014 12:33

Kryetari i Prishtinës, Shpendi Ahmeti, i ka nisur sot një letër Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike duke i kërkuar sqarime shtesë, në lidhje me sistemin e ngrohjes në shkolla, për të cilën ai liroi nxënësit nga mësimi ditë më parë.

Ahmeti ka kërkuar konkretisht në 9 pika sqarime shtesë në lidhje me letrën që ky Institut ia ka kthyer atij më 10 shkurt më 2014.

Të njëjtën letër, ai e ka bërë publike edhe në llogarinë e tij në Facebook, duke kërkuar që pyetjeve dhe kërkesës për sqarime shtesë t’i përgjigjet ky Institut sa më shpejtë për shkak të konsideratës së shëndetit të fëmijëve.

Letra drejtuar këtij Instituti nga Shpend Ahmeti:

I nderuari Prof. Ramadani,

Së pari ju falënderoj për përgjigjen që na e keni dërguar të hënë, 10 shkurt 2014, në emër të Institutit Kombëtar të shëndetësisë publike. Në këtë letër kërkojmë nga ju edhe sqarime shtesë.

1. Si institucion shëndetësor, ne kemi kërkuar nga ju të vlerësoni se çfarë do të thotë niveli i squfurit prej 700 ppm në naftë për shëndetin e qytetarëve. Sigurisht se ekzistojnë studime të cilat ju i keni që mund të qartësojnë këtë, posaçërisht duke ditur faktin se debatet në Bashkimin Evropian për zvogëlimin e sasisë së squfurit në naftë kanë pas arsyetime shëndetësore.

2. Askush në Kosovë nuk ka licencë për importimin e vajrave gazorë, prandaj kjo lëndë nuk guxon të jetë në rezervuarët tona. Në ekipin e juaj i pamë se janë vetëm 3 mjekë, ndërsa vlerësimet që i keni dhënë për motor djegës janë të fushës së inxhinierisë. Me cilët inxhinierë jeni konsultuar apo si e keni vlerësuar se vaji mund të digjet në sistemet e ngrohjes që janë në shkolla?

3. Në letrën e juaj e keni vlerësuar se nuk ka kontaminim të ajrit nëpër klasa. Cilin mjet teknik e keni përdor për të vlerësuar kontaminimin e ajrit (lloji, personi/zyrtari që e ka përdorur) dhe a kanë qenë sistemet të lëshuara gjatë testimit që keni bërë.

4. Në shkollën “Meto Bajraktari” keni konstatuar probleme teknike me flakëruesin. E njëjta pyetje vlen si më lartë në pyetjen numër 2. Cilin inxhinier/e e keni konsultuar?

5. Si i keni matur se oxhaqet janë në lartësinë e duhur, dhe cili udhëzim apo nen ligjor është përdorur për të konstatuar se oxhaqet janë në nivel për këtë lloj vaji.

6. Përderisa keni thënë se nuk ka probleme, ju edhe keni dhënë shumë rekomandime alarmante të cilat nuk përputhen me konstatimin. Keni kërkuar të rregullohen oxhaqet përderisa në konstatim keni thënë se janë në lartësinë e duhur. Andaj në qoftë se janë në rregull çfarë duhet të rregullohet në to?

7. Kush e ka bërë vlerësimin se rezervuarët e naftës duhet të pastrohen sepse dëmtojnë kualitetin e vajit për ngrohje. Ky vlerësim kërkon edhe vlerësimin profesional nga persona të licencuar për këtë punë. Ju lutem që të na dërgoni emrin e personit/zyrtarit dhe licencën për këtë punë.

8. Në rekomandime keni thënë që duhet të rregullohen oxhaqet ku emitohen gazra nga djegia e vajrave për ngrohje. Edhe njëherë, më duhet të konstatojë se ne nuk kemi vajra për ngrohje as nuk guxojmë të kemi . Prandaj, ky rekomandim i juaji bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

9. Keni konstatuar se rezervuarët nuk pastrohen nga paslufta. Si e keni konstatuar këtë? Ju lutem të na dorëzoni shënime teknike nëse dispononi.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin. Duke marrë parasysh prioritetin e shëndetit të fëmijëve ju lusim që përgjigjet të na i dërgoni sa më shpejtë.

Disa nga pyetjet shëndetësore tani i kemi dërguar edhe tek disa institucione ndërkombëtare dhe përgjigjet e tyre do të jua përcjellim menjëherë. Po ashtu kemi iniciuar procedurat e dërgimit të mostrave nga nafta për superanalizë jashtë vendit.

Me respekt,

Shpend Ahmeti

Kryetar

Komuna e Prishtinës