Shpendi interpreton Simbolet

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pohon se Flamuri dhe Simbolet Shtetërore do të jenë në të gjitha vendet dhe dokumentet ku e kërkon Ligji. \"Politikisht nuk pajtohemi, por kjo çështje nuk zgjidhet në nivel komune, por në nivel qëndror\", thotë ai.

Lajme

27/12/2013 20:45

Në ditën e parë që hyri në zyrë, bashkë me marrjen e postit të Kryetarit të Prishtinës, bëri lajm edhe me largimin e Flamurit të Kosovës nga zyra e punës.

Por, një ditë më vonë, Shpend Ahmeti e ka sqaruar situatën me flamurin dhe me fotografitë.

“Flamuri dhe simbolet shtetërore do të jenë në të gjitha vendet dhe dokumentet ku e kërkon ligji. Politikisht nuk pajtohemi, por kjo çështje nuk zgjidhet në nivel komune, por në nivel qëndror. Megjithatë, asnjë ligj nuk e ndalon flamurin kombëtar”, ka shkruar sot Shpend Ahmeti, në llogarinë e tij në Facebook.

“E dyta, nuk jam marrë e as që e kam pas plan të merrem me fotografitë. Edhe kjo çështje rregullohet në nivel qëndror. Nuk mendoj se kryetarët e komunave do të duhej të vendosnin fotografi sipas preferencave në çdo zyre të komunës”.

“Tematizimi i këtyre çështjeve na largon nga problemet që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës në komunën tonë”.

“Edhe një herë, sot filluam punën dhe e prezantuam ekipin. Do të punojmë sipas programit dhe parimeve të cilat i kemi prezantuar në fushatë dhe që i kemi prezantuar si organizatë”, ka thënë Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.