Shpendi dhez ekskavatorët

Ekskavatorët e Komunës së Prishtinës ia kanë mësyrë sot paradite një objekti të Kompanisë “ELKOS” në Kodrën e Trimave. Xhelal Sveçla thotë se ndërtuesit kanë tejkaluar lejen që i është lëshuar. ELKOS e mori këtë si \"punë të Vetëvendosjes kundër saj\".

Lajme

17/01/2014 13:05

Në javën e tretë të punës si Kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka nisur luftën ndaj ndërtimeve pa leje.

Ekipi i tij e ka bërë këtë me një aksion ndaj një objekti të Kompanisë “ELKOS” në Kodrën e Trimave i cili, sipas Drejtorit të Inspeksionit të Komunës, ka tejkaluar lejen e ndërtimit.

Përfaqësuesi i Kompanisë “ELKOS” ka thënë se Komuna po e bën këtë rrënim ende pa marrë përgjigje nga Drejtoria e Urbanizmit.

Fatos Alimehaj përfaqësues i Elkos Group thotë se Inspektorati kishte marrë vendim me 31 dhjetor të vitit 2013 që kompanisë t’i jepet 1 muaj të drejtë ankese. Këta janë ankuar, por, Alimehaj thotë se kjo është haptas “punë e Vetëvendosjes kundër Elkos’it”.

Kompania ELKOS është në pronësi të biznesmenit Ramiz Kelmendi, i cili njëherit është Deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK.

\"Foto:

 

“Ne kemi paguar leje ndërtimi këtu afër 400 mijë euro. Ndërsa për 1.8% që është bërë tejkalimi i lejes së nderimit  për shkak të kushteve që i janë nevojitë objektit, sot ka ardhur inspeksioni dhe fillon ta bëjë rrënimin. Neve na kanë dhënë afat 30 ditë të kemi të drejtë ankese, ne kemi bërë ankesë në Urbanizëm, për të na lejuar ne këtë shtesë të lejes, ndërsa ata ende s’e kanë kthyer përgjigjen dhe sot kanë ardhur ta rrënojnë”.

Për ta rrënuar, ai thotë se të hënën mund të jetë gati rrënimi edhe nga vetë ata, por një gjë të tillë thotë se s’po e pranon kjo drejtori.

\"Foto:

 

“Kjo po shihet hapur se Vetëvendosje po punon kundër kompanisë Elkos e cila është një ndër kompanitë më të mëdha në Kosovë dhe punëdhënësja më e madhe me rreth 3 mijë vetë që punojnë këtu, ndërsa këta punojnë kundër kësaj kompanie”.

Në anën tjetër Drejtori i Drejtorisë të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, Xhelal Sveçla thotë se edhe pse ju është kërkuar kompanisë që të intervenoj vetë mbi këtë tejkalim, nuk është parë një gatishmëri e tillë.

Kjo ka shtyrë drejtorinë t’i përveshë mëngët vetë për ta rrënuar këtë pjesë të ndërtesës.

\"Foto:

 

\"Foto:

 

“Me qëllim të implementimit të ligjit, rrënimit të tejkalimit të objektit të ndërtimit, subjekti ka marrë lejen e ndërtimit më 12 shkurt 2013, leja e ndërtimit 0535146073 dhe ka bërë tejkalimin e lejes së ndërtimit”.

“Pas vërejtjeve të njëpasnjëshme, ndërkohë edhe ju është kërkuar palës që të intervenojë menjëherë, nuk është parë gatishmëri e tillë. Inspektoriati Komunal ka marrë vendimin për rrënimin e menjëhershëm për rrënimin e këtij tejkalimi të lejes”.

\"Foto:

 

\"Foto:

 

“Ky vendim është marrë me 31 dhjetor 2013, kur Lëvizja Vetëvendosje, realisht as nuk e ka marrë ende pushtetin fiktiv”.

Sveçla ka thënë se për drejtorinë që ai udhëheq me rëndësi janë lëndët, e jo emrat e përveçëm. Aksione të tilla drejtori i Inspeksionit ka pohuar se do t’i vazhdojë deri në zbatimin e ligjit dhe disiplinimin e ndërtuesve.

\"Foto:

 

\"Foto:

 

\"Foto:

 

“Për ne administratën e Komunës me rëndësi janë lëndët, nuk do të punojmë me emra të përveçëm, dhe do ta zbatojmë ligjin pikë për pikë pavarësisht se kush është ai ndërtues. Aksione të tilla do të kemi edhe në vazhdimësi dhe javën e ardhshme deri në momentin kur zbatohet ligji dhe të gjithë ndërtuesit disiplinohen në mënyrë që të punojmë në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi”.

Ndërsa, janë në fazën e analizimit të gjendjes së garazheve të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Sa i përket garazheve të PDK’së, jemi në fazën e analizimit të gjendjes atje, në momentin kur ne shohim bazë ligjore për t’i rrënuar unë ju garantoj që ato do të rrënohen”, ka thënë Sveçla.

\"Foto: