Shpend Ahmeti përshëndetet me AUK

Shpend Ahmeti ka lënë punën në Universitetin Amerikan të Kosovës për t’u përqendruar në punën e re si Kryetar i Prishtinës. Kishte premtuar gjatë fushatës se do ta ketë vetëm një vend pune.

Lajme

20/12/2013 21:22

Premtimin e parë e mbajti.

Kishte thënë në disa raste gjatë fushatës që nëse zgjedhet Kryetar i Prishtinës, do ta ketë vetëm NJË vend të punës. Atë të Kryetarit të Komunës.

Shpend Ahmeti ka njoftuar të premten se i ka dhënë fund angazhimit të tij si mësimdhënës në Universitetin Amerikan të Kosovës, për t’u përqendruar në punën e tij si Kryetar i Komunës.

Në një postim që ka bërë në Facebook, në ditën e tij të fundit të punës në këtë Universitet, Ahmeti ka falënderuar të gjithë, studentët, kolegët profesorë dhe administratën ku ai ka punuar për nëntë vjet.

“Sot i pata provimet e fundit në Universitetin Amerikan në Kosovë. Pas nëntë vjetësh në këtë institucion dhe nëntë gjeneratave të shkëlqyeshme, ka ardhur koha që të shkëputem për të filluar punën në Komunë”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

“Të gjithë studentëve i falenderohem prej zemrës për përvojen e paharrueshme. Kam mësuar tepër shumë nga ju”.

“Gjithë kolegët profesorë, ligjerues e administratë, i falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve”.

“Do të më mungoni shumë!”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Ai do ta bëjë betimin si Kryetar i Komunës më 26 dhjetor.

Premtimi i dytë që pret të përmbushet është shitja e veturës zyrtare të Kryetarit të Komunës.