Shpend Ahmeti: LDK ndërmarrjet publike i kishte bërë familjare

Shpend Ahmeti ka akuzuar LDK-në, se gjatë qeverisjes së saj në Prishtinë, ndërmarrjet publike i ka shndërruar në familjare.

Lajme

14/01/2015 13:46

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti edhe një herë ka akuzuar qeverisjen e LDK-së në Prishtinë, për punësime familjare.

Ai ka thënë se ata kanë gjetur 7 ndërmarrje publike të cilat janë shndërruar në ndërmarrje familjare.

Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se kur kanë filluar të marrin masa për shkarkimin e familjarwve nga kwto borde, dhe kjo, sipas tij, e ka shtyre asamblistin e LDK-sw, Sami Hamitin që t’i rimarrë komisionet e aksioneve.

Ja postimi i plotë i Ahmetit:

Në Prishtinë i kemi trashëguar 7 ndërmarrje publike komunale të cilat faktikisht kanë qenë ndërmarrje familjare komunale.

– Trafiku Urban me borxh mbi 1.5 milion euro, ku 22 muaj nuk u janë paguar pagat punëtorëve.

– Pastrimi me mbi 1.5 milion euro borxh dhe kompani joefikase në mbledhjen e mbeturinave

– Termokos me bilanc negativ dhe ankesa të shumta nga donatorët

– Sport Marketing me borxhe ndaj punëtorëve

– Ndërmarrja Publike Banesore që prej vitit në vit ka zvogëluar qarkullimin me shumë keqpërdorime

– Stacioni i Autobusave që realisht ka pas të hyra po ku pagat kanë qenë shumë shumë të larta

Kur kemi filluar të marrim masa ti shkarkojmë bordet dhe menaxhmentet familjare, Sami Hamiti ka filluar të tentojë organizimin e një vote në kuvend për ti rimarrë komisionet e aksionarëve. Ka thirr mbështetje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe ditëve të fundit ka bërë presion të jashtëzakonshëm te anëtarët e Kuvendit Komunal me çdo mjet të mundshëm.

Kur u pa që nuk kishte as arsye të mbahej mbledhja e jashtëzakonshme, u tentua kontrabandimi i një vendimi i cili fare nuk u diskutua për pezullimin e vendimeve të aksionarëve deri në raportim. Kjo është joligjore, e pavlefshme dhe nuk do të bëhet.

Qytetarë të nderuar të Prishtinës, është koha që ndërmarrjet komunale familjare ti kthejmë në Ndërmarrje Publike Komunale në shërbim të qytetarëve. Kemi nevojë për përkrahje për ta kthyer qytetin tonë deri në fund. Të ju themi Sami Hamitëve se qyteti është i qytetarëve të Prishtinës e jo i klaneve për interesa të ngushta personale.