Shpend Ahmeti e do politikën jashtë arsimit

Shpend Ahmeti rithekson cilësinë të cilën do ta sjellë në shkollat e Komunës së Prishtinës. Prindërit i do si pjesë e vendimmarjes. Ndërsa drejtorët i lë të lirë të shëtisin nëpër bindjet e tyre politike.

Lajme

24/01/2014 11:38

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Jusuf Thaçi, kanë theksuar edhe njëherë rëndësinë e ngritjes së cilësisë në shkollat e kësaj komune.

Në një takim të mbajtur sot me drejtorët e shkollave të komunës, ata thanë njëzëri se nuk është e rëndësishme a është një drejtor shkollë anëtar i një subjekti politik apo tjetrit.

Duke pranuar sfidat e arsimit për muajt në vijim, Kryetari Ahmeti thotë se bashkërisht duhet diskutim të politikave që do të implementohen në të gjitha shkollat.

Prindërit, i do si pjesë e vendimmarjes në mënyrë të ngritjes së kësaj cilësie.

“E di se na presin disa sfida në muajt që vijnë në vijim me hapjen e disa shkollave të reja. Në përgjithësi duhet që bashkërisht  t’i diskutojmë politikat që më pastaj do të implementohen nga të gjitha shkollat”.

“Gjëja kryesore është që ka ndodhur një ndërrim në qeverisjen Komunale, por, për neve është me rëndësi cilësia e arsimit, për ne nuk është me rëndësi a është një drejtor shkolle anëtar i një subjekti politik apo tjetrit. Kjo fare s’ka rëndësi”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u flet drejtorëve të shkollave fillore të Prishtinës

 

“Bindjet politike dhe partiake janë e drejtë e juaja. Është e drejtë legjitime, atë të drejtë e mbrojmë ne. Megjithatë, komunikimin tonë do ta ndërtojmë në bazë të arsimit, cilësisë së arsimit, mbajtjes së standardeve dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve”

“Do të mundohemi sa më shumë që prindërit t’i bëjmë pjesë të vendimmarrjes, sepse, edhe unë si prind flas, ata janë njerëzit më të interesuar për cilësinë e arsimit”.

Ahmeti ka folur edhe për vrasjen e cila ndodhi ditë më parë në oborrin e një shkollë fillore në Prishtinë. Duke konsideruar se çështje të tilla duhet të trajtohen seriozisht.

“Fatkeqësisht ditët e para që kemi filluar qeverisjen na ka ndodhur edhe një vrasje në oborr të shkollës. Kjo është një çështje me të cilën duhet të merremi seriozisht. Viktima nuk ka qenë nxënës i shkollës aktualisht, megjithatë, personi i plagosur është nxënës i shkollës. Incidenti ka ndodhur brenda objektit të shkollës”.

“Tashmë jemi në diskutime që këtë çështje të sigurisë në shkolla ta trajtojmë edhe në Komitetin për Siguri në Komunitet, që bashkëpjesëmarrje të komunitetit të fillojmë hapa që do të ndërmarrim për ta përmirësuar sigurinë nëpër shkolla”.

Në anën tjetër, edhe Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jusuf Thaçi, ka bërë të ditur se qëllim final e kryesor i Drejtorisë Komunale të Arsimit është cilësia, me të cilën kemi probleme mjaft.

“Qëllimi final dhe kryesor i Drejtorisë Komunale të Arsimit është cilësia. Me cilësinë besoj që kemi probleme serioze jo vetëm në komunën e Prishtinës por si shoqëri në përgjithësi, duke filluar prej kornizës së kurikulit të Kosovë”.

Sipas tij, përzgjedhja e drejtorëve e zëvendës-drejtorëve të rinj do të jetë sa më objektive, duke mos shikuar në atë se nga cila parti vije një ekspert, apo janë të pavarur.

“Gjithçka do të bëhet përmes vlerësimit të performancës dhe cilësisë dhe konform udhëzimeve administrative që janë nxjerrë tashmë nga Ministria e Arsimit, mirëpo edhe përmes kritereve dhe standardeve që do t’i krijojmë ne si Komunë në bashkëpunim me të gjithë ekspertët e fushës së arsimit, qofshin ata të pavarur qofshin ekspertë të cilësdo parti politike”.

“Për vitin 2014 ne e kemi gjetur buxhetin dhe nuk besoj se mund të bëjmë ndryshime të mëdha, përjashto çështjen e ushqimit të shujtës për nxënësit e shkollës fillore për nxënësit nga klasa e parë deri në pesë, që jemi duke përgatitur një plan të detajuar që ta implementojmë prej shtatorit të këtij viti”, tha Jusuf Thaçi.