Shpend Ahmeri ‘tradhton’ punëtorët teknik të QKMF-së, nuk ka rritje pagash

Punëtorët teknik të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, ditë më parë kanë mbajtur një grevë, në shenjë pakënaqësi për pagat.

Lajme

18/03/2019 20:26

Ata kanë kërkuar rritje pagash prej 4 për qind, si dhe kanë kërkuar kalimin nga kompanitë private nën përgjegjësi të komunës.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës.

Miranda Mullafazliu, zëdhënës në këtë komunë ka thënë se rritja e pagës për këta punëtorë është në procedura, por që nuk ka dhënë përgjigje nëse këto kategori do të kalojnë në kuadër të shtëpisë së shëndetit.

“Rritja e pagës  prej 4% për këta punëtorë është në procedurat e implementimit”, ka thënë shkurt Mullafazliu.

Në anën tjetër, kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për lajmi.net se procedurat për kalimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës së Prishtinës kanë filluar qysh para dy viteve, por që kryetari Ahmeti ende nuk ka ndërmarr asgjë.

Në rast të mos plotësimit të këtyre kërkesave, ai paralajmërojnë se greva do të përshkallëzohet, duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme.

“Këto procedura kanë filluar më shumë së dy vite, për kthimin në menaxhimin e komunës së Prishtinës, nën menaxhimin QKMF-së, dhe kryetari i komunës vetë ka deklaruar se me aprovimin e ligji mbi fitimin e statusit të komunës së Prishtinës si kryeqytet në mënyrë automatike këta punëtor të cilët janë të privatizuar do të kthehen nën menaxhimin e komunës, ku komuna do ta bëjë një drejtori për shërbime publike apo sido qoftë. Dmth u ka garantuar punëtorëve”, ka thënë Azemi për lajmi.net.

Po ashtu Azemi ka treguar se sa i përket çështjes së rritjes së pagës për 4 për qind, vet kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, u ishte drejtuar me shkrim, se në moment që në sektorin publik rritën pagat, me atë përqindje, në mënyrë automatike do të ketë rritja edhe për këta punëtorë të sektorit privat.

“Ndërsa sa i përket çështjes së pagës për rritjen mbi 4 për qind, që e kanë kërkuar punëtorët, kam dokument zyrtarë, me shkrim, që mua më është drejtuar kryetari i Komunës. Ai aty thotë se kërkesa juaj aprovohet, dhe në çdo tender që është dalur për këta punëtorë që punojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe të disa shkollave. Në tender shkruan se në moment kur në sektorin publik rritën pagat, me atë përqindje që rritën në sektorin publik në mënyrë automatike do të jetë rritja edhe për këta punëtorë të sektorit privat, është dokumenti zyrtarë që ne e kemi”, ka thënë tutje Azemi.

Sipas tij, meqë vetë kryetari i komunës është deklaruar zyrtarisht dhe është nënshkruesi i asaj, ai  ka thënë se po dyshon që ky është vetëm një manipulim.

Edhe në dokumentin të cilin e ka siguruar lajmi.net, të cilën e kishte nënshkruar vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thuhet: “Me skadimin e kontratës në shtator 2014, kontrata e re do t’i ketë si kushte pagën minimale të barabartë, si dhe batimin e plotë të ligjit të punës”.

Këta punëtorë deri në vitin 2009 kanë qenë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, por nga ai vit kanë kaluar në kompani private.

Janë rreth 50 punëtorë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare që kanë mbajtur grevë, ndërkohë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë 10 punëtorë që gjatë ditës së grevës ani pse kanë qenë në vendin e punës nuk kanë punuar. E.I /Lajmi.net/