Shpella e Gadimes hapet për vizitorë, por duke respektuar masat mbrojtëse të IKSHPK-së

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se, në kuadër të fazës së tretë të lehtësimit të masave kundër COVID-19, nga dita e nesërme do të hapet për vizitorë Monumenti i Natyrës me Rëndësi të Veçantë, Shpella e Gadimes.

Lajme

31/05/2020 22:45

Rifillimi i punës së shpellës dhe hapja e saj për vizitorë do të përcillet me disa masa mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të përcaktuara sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik.

“Në kuadër të këtyre masave mbrojtëse, vizitorët obligohen të jenë të pajisur me maska dhe me dorëze, ndërsa vizitat në shpellë do të organizohen në grupe të vogla të vizitorëve. Orari i vizitave në shpellë do të jetë sipas orarit të rregullt të punës nga ora 8:30-15:30”, ka njoftuar AMMK.

Si pasojë e masave të zbatuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shpella ka qenë e mbyllur për vizitor që nga fillimi i muajit mars të këtij viti.

Përndryshe, Shpella e Gadimes, që ndodhet në fshatin Gadime e Ulët të komunës së Lipjanit, sipas AMMK-së, mbetet një nga destinacionit turistike më të vizituara për turistët jo vetëm vendor por edhe të huaj.

Agjencioni potencon se për shkak të vlerave që ka ky monument i natyrës, është marrë në mbrojtje ligjore dhe gëzon statusin e Monumentit të Natyrës me Rëndësi të Veçantë.

Sipas AMMK-së, veçantia e kësaj shpelle është prezenca e aragoniteve të cilat si stoli shpellore janë dukuri të rralla.

“Aragonitet dhe kristalet tjera në Shpellën e Gadimes paraqiten në disa galeri, të cilat mundë të shihen edhe nga vizitorët, për faktin se Shpella e Gadimes aktualisht është e vetmja shpellë në Kosovë e përgatitur për vizitorë”, përfundon njoftimi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë. /Lajmi.net/