Shpaloset Visari, “rrushi” i Partisë Fortë (Video)

Fotografia ku politikani Visar Arifaj pozon nudo, duke mbajtur programin politik “Vizioni i Ri” pranë pjesëve intime të tij, nuk është transparenca e plotë që Partia e Fortë premton. Nëse Arifaj do të fitojë zgjedhjet e 8 qershorit dhe bëhet kryeministër, ai premton se do të publikojë imazhin e tij me transparencë të plotë.

Lajme

21/05/2014 15:57

Duke prezantuar programin e saj politik, të quajtur “Vizioni i Ri”, Partia e Fortë ka shpalosur të mërkurën një segment thelbësor të këtij programi, e që është transparenca.

Përmes një fotografie ku shihet kryetari lexhendar duke pozuar nudo dhe duke mbajtur në dorë programin politike dhe një kalavesh rrush, Visar Arifaj ka thënë se imazhi i partisë duhet të ndërrohet sa më shpesh kur është koha e fushatës.

Ai ka thënë se përmes këtij imazhi, Partia e Fortë tregon se sa transparente është me qëllim që të jenë sa më të afërt me qytetarin.

“Sot jemi mbledhur këtu që ta shpalosim imazhin e ri të programit tonë politik që quhet \’Vizioni i Ri\’ dhe në programin tonë politikë, i cili synon si gjithmonë integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik, gjëja thelbësore për zhvillimin e këtij programi është transparenca”, ka thënë Arifaj.

“Andaj edhe sot kemi ardh këtu që ta tregojmë transparencën se si e kemi paraqitur dhe realizuar së bashku me ekipin tonë të ekspertëve, e cila do të na shoqërojë edhe pas zgjedhjeve, pasi të vijmë në pushtet”.

“Partia e Fortë njësoj si çdo subjekt tjetër politik dhe si çdo parti tjetër, i kushton shumë rëndësi imazhit dhe e sheh të nevojshme që ai të ndërrohet gjithmonë në prag të zgjedhjeve, pra të ndërrohet edhe mënyra se si bëhet fushata. Kësaj radhe është parë shumë e rëndësishme që ne të dukemi sa më të afërt me qytetarin, qoftë duke u takuar me ta dorë për dore, qoftë edhe duke treguar njëfarë lloj intimiteti me votuesin tonë”.

“Jemi të sigurt që transparenca është ajo pika thelbësore edhe për faktin se sado që programi politik i dikujt mundet me qenë i avancuar, të gjithë e dimë që nuk është me rëndësi programi, por me rëndësi është se çka qëndron prapa atij programi”.

Andaj Arifaj ka premtuar se një imazh me transparencë të plotë do e publikojë pasi që Partia e Fortë të fitoj zgjedhjet.

“Megjithatë kjo nuk është transparenca e plotë të cilën ne e premtojmë. Ajo do të shpaloset pas zgjedhjeve. Pra, e kemi gati edhe imazhin tjetër i cili është tërësisht transparent, por ajo do të shfaqet vetëm pasi ne të vijmë në pushtet”.

I pyetur se çfarë simbolike ka rrushi,  të cilin Arifaj e mban në duar teksa pozon nudo, ai ka thënë se rrushi është rehatia e fitores së tyre dhe njëkohësisht një komponent i rëndësishëm i programit të bujqësisë.

“Rrushi në një farë forme tregon se në këtë imazh, përveç transparencës tonë të plotë, kemi treguar lehtësinë dhe rehatinë me të cilën ne po futemi në zgjedhje. Pra jemi të bindur në fitore dhe nuk bezdisemi shumë për rezultatin i cili do të jetë në fund, sepse jemi të sigurt që do të jetë në favorin tonë, si gjithmonë”.

“Rrushi, të gjithë e dimë që është pjesë e programit tonë politikë, është pjesë e programit për bujqësi, por atë do ta tregojmë më vonë, kur të flasim për programin \’Rrush e Kumbulla\’\”.

Se Partia e Fortë është e bindur për fitore kjo as që është vënë në mëdyshje, por se kësaj radhe, në dallim me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kandidati për kryeministër Visar Arifaj tha se pret një fitore dinjitoze prej 52 për qind të votave.

“Jemi të bindur për një fitore dinjitoze, diku rreth 52 për qind, që është e mjaftueshme që të kemi një shumicë, mirëpo edhe për Kosovën, që ta ketë imazhin e një vendi demokratik, i cili nuk sundohet vetëm nga një subjekt politik, por nga një grup pak më i madh i tyre”.