Shpallet konkursi, katër mijë studentë do të pranohen në konvikte

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), ka shpallur konkurs për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2018/2019.

Lajme

03/09/2018 15:33

“Konkursi do të jetë i hapur prej datës 04.09.2018 deri më datën 13.09.2018”, thuhet në komunikatën e QS-së.

Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin do ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, web faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook – Qendra e Studentëve-Prishtinë.

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës këtë vit do të pranojë rreth 4000 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

Mënyrat e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs.

Çmimi do të jetë 35 euro për muaj (20 euro banimi, 15 euro ushqimi).