Shpall fitoren e PDK’së

Hashim Thaçi thotë se PDK ka dalë fituese në rangun e Kosovës. Ai pohon se PDK ka fituar 230 mijë vota në nivel nacional.

Lajme

04/11/2013 00:25

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur fitoren e partisë tij në nivel nacional.

Thaçi tha se tërësia e votave të PDK’së në nivel të vendit shkon në 230 mijë.

Ai tha se komunat që PDK prinë në votime janë Prizreni me kandidat Ramadan Mujën, në Mitrovicë Avni Kastratin dhe në Ferizaj Agim Aliu.

Kryeministri Thaçi e ka cilësuar procesin zgjedhor si të suksesshëm, fer e demokratik dhe me një pjesëmarrje në ngritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Incidentet në Veri, sipas tij, nuk kanë arritur që ta dëmtojnë imazhin e mirë që e kanë krijuar këto zgjedhje.

“Ne, Partia Demokratike e Kosovës, kemi pasur 3 qëllime në këtë proces elektoral lokal, që Kosova të kalojë testin europian për zgjedhje të lira dhe demokratike”.

“Sot, Partia Demokratike e Kosovës u rikonfirmua partia numër një në Republikën e Kosovës”.

“Partia Demokratike e Kosovës u ngrit në shumicën e komunave në Republikën e Kosovës, është partia e parë në nivel nacional”.

“PDK, si parti e parë në vend, në këto zgjedhje ka fituar 230 mijë vota”.