Shoqërohen në polici tre adoleshentë shqiptarë në veri

Policia e Kosovës ka shoqëruar sonte në stacionin policor në pjesën veriore të Mitrovicës tre adoleshentë shqiptarë, te të cilët janë gjetur një pistoletë dhe dy thika, deklaroi komandanti regjional i PK-së në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq.

Lajme

27/05/2015 22:44

Sipas Gjuriqit, këta tre adoleshentë kanë sulmuar të rinj serbë në veri dhe me këtë aksion është evitar incidenti i përmasave më të mëdha.

Tre adoleshentët me iniciale A.P. (16), A.Sh. (17) dhe V.B. (16) i janë dorëzuar gjykatësit për kundërvajtje.

Mediat serbe transmetojnë informatën se te tre adoleshentët shqiptarë janë gjetur  një pistoletë, dy thika, një maskë mbrojtëse, një shall dhe flamuri i “Shqipërisë së madhe”.

Gjuriq i tha agjencisë serbe Beta se incidenti i vogël – rrahja në mes të adoleshentëve serbë e shqiptarë ka ndodhur rreth orës 18 e 15 minuta, në rrugën Kral Petar dhe se përleshja më e madhe është penguar me intervenimin e një patrulle të policisë.

Policia tërheq vërejtjen se të gjithë ata që do të tentojnë të shkaktojnë trazira dhe incidente do të pengohen pasi që nëpër rrugët e pjesës veriore të Mitrovicës është i pranishëm numër më i madh patrullash policore.