Shoqëria civile organizon marsh për urën

Shoqëria civile e Mitrovicës është duke përgatitur një marsh të qytetarëve, të jugut dhe të veriut të Mitrovicës për hapjen e urës, punët në revitalizimin e të cilës kanë përfunduar.

Lajme

07/10/2018 16:16

Pjesa matanë urës ku do të bëhet zona e këmbësorëve ende nuk ka përfunduar, ndërsa punët zvarriten, siç thonë në jug me urdhrin e kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili edhe është duke penguar hapjen e urës.

Shoqëria Civile e Mitrovicës është duke përgatitur një marsh të qytetarëve, të jugut dhe të veriut për hapjen e urës, punimet në revitalizimin e të cilës kanë përfunduar ka gati katër muaj.

Por pjesa tjetër në veri, përkatësisht në rrugën “Mbreti Peter” po zvarriten pafundësisht dhe kjo bëhet, siç thonë shqiptarët e jugut të Mitrovicës me urdhrin e kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili insiston që ura të mos hapet derisa të nënshkruhet memorandum në mes tij dhe kryetarit të Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri për definimin e kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës. Aktualisht nëpër urë mund të lëvizin vetëm këmbësorët, ndërsa ka mbi një vit e gjysmë që ura është dashur të hapet për qarkullim të automjeteve.

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, edhe më tutje insiston se katër fshatra me shumicë shqiptare, të cilat aktualisht i takojnë komunës jugore, duhet t’i takojnë komunës veriore, ndonëse me pakon e Ahtisarit ato i takojnë komunës jugore.

Posaçërisht, Rakiq insiston që pjesa serbe e Suhadollit t’i takojë Mitrovicës së veriut dhe këtë ide të tij ai e bazon në faktin se në zgjedhjet e fundit, KQZ-ja kishte ndarë fshatin në dy pjesë, serbët kanë votuar në veri, ndërsa shqiptarët e Suhadollit në jug.

E ndërkaq, disa organizata joqeveritare planifikojnë ta organizojnë një marsh për hapjen e urës, i cili do të niset nga pjesa jugore e Mitrovicës, do të kalojë nëpër pjesën veriore të qytetit të ndarë dhe do të përfundojë tek Qendra Spitalore në veri.

Kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka këmbëngulur që ura të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të këmbësorëve këtë muaj dhe që të mos zvarritet më tutje, e që sipas tij do të bënte që Mitrovica të bashkohej.

Hapjen e urës, kryetari i jugut të Mitrovicës e ka kërkuar nga shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostollova, e cila nuk ka mundur ta thotë ndonjë datë, kur ura vërtet do të hapej për qarkullim të automjeteve.

Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës, serbë dhe shqiptarë kanë mendime të ndryshme sa i përket hapjes së urës. Derisa shqiptarët mendojnë se ura është dashur të hapej deri me tani, serbët mendojnë se ende nuk është koha e duhur që ura të jetë e lirë për qarkullim.

Këta të fundit mendojnë se situata ende nuk është normalizuar për të mundur të hapet ura, pasi që sipas tyre, u rrezikohet siguria. E të njëjtit mendim është edhe Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës në komunën veriore, e cila u ka thënë mediave në Prishtinë (RTK2), se ende nuk është koha që të hapet ura kryesore mbi lumen Ibër për qarkullim të automjeteve, raporton më tutje “Zëri.info”.

“Ai është një projekt politik, përgjithësisht e gjithë puna e rinovimit të urës vërtet ka qenë shkak i tensioneve të shumta që kanë ndodhur në komunën veriore të Mitrovicës dhe nuk mund madje as të them se kur do të mund të krijohen kushte për hapjen e urës kryesore mbi lumen Ibër, definitivisht tani nuk është koha ta kemi ndonjë aktivitet lidhur me hapjen e urës”, ka thënë Hoxhiq.

Ajo mendon se zgjidhja më e mirë ishte “Parku i Paqes”, barrikada të cilën e kishte vendosur kryetari i Mitrovicës së veriut Goran Rakiq, pas largimit të barrikadës me zhavorr dhe të përforcuar me beton, e cila ishte quajtur “turpi i Kosovës”.

“Parku i Paqes’ për të gjithë ne, e posaçërisht për bashkësinë ndërkombëtare na ka përkujtuar se ende nuk ka një besim në mes të etniteteve, në mënyrë që pjesa veriore e qytetit dhe ajo jugore të mund të lidhen me këtë urë“, ka sqaruar Hoxhiq.

Në anën tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu, nuk e kupton për ç’arsye kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq po e mban peng urën.

“Nuk e di për ç’arsye kryetari Rakiq këtë çështje po e zvarrit kaq shumë, sepse hapja e urës do të lehtësonte qarkullimin e qytetarëve nga jugu në veri dhe anasjelltas. Nuk shoh asnjë arsye, as të sigurisë as ndonjë tjetër që ura të mbahet e mbyllur. Vendimi është te Rakiqi dhe ai këtë duhet ta bëjë sa më parë“, ka thënë Spahiu.

E ndërkaq, Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, ka ripërsëritur se ura kryesore e Ibrit është peng i obstruksioneve të kryetarit të komunës veriore, Goran Rakiq, i cili siç tha Mujka, “është pengesa kryesore dhe njeriu i vetëm i cili kundërshton fuqishëm hapjen e urës”.