Shoqëria civile marshon në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike

Organizatat e shoqërisë civile po marshojnë në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Lajme

17/06/2019 10:48

Marshi ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, dhe do të vazhdojë me ndalje te shkurtra në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare.

Ismet Kryeziu nga KDI, tha se ky projektligj dëmton shoqërinë dhe paranë publike, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij  partitë politike me këtë i rregullojnë punët e tyre si është më së miri duke i ikur llogarisë ndaj qytetarit.

Marshuesit tashmë kanë vendosur 27 amendamentet që po i kundërshtojnë në dyert e selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.

Kështu do veprojnë me secilin subjekt politik.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Ato vlerësojnë se Projekligji është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.