Shoqëria Civile i paraprinë samitit të Vjenës

Përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë në një punëtorinë me temë "Krijimi i Punësimit dhe Prosperitetit".

Lajme

07/05/2015 18:27

Kjo konferencë ndërkombëtare është thirrur nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, zyra e Tiranës, dhe qëllimi është të kontribuojë në Samitin e Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Vjenë midis datave 26 dhe 27 gusht.

Të pranishmit në takim theksuan se pjesëmarrja e shoqërisë civile ka një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e integrimit Evropian në vendet më të reja të BE-së.

Diskutimet në këtë seminar u fokusuan në çështjet më të rëndësishme në lidhje me krijimin e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vendet e rajonit që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile të Kosovës në këtë aktivitet, Bardha Ahmeti tha për KosovaPress se gjatë seminarit është punuar për përgatitjen e disa rekomandimeve mbi çështjet më kyçe të secilit vend, siç është punësimi, investimet etj, tema këto që do të paraqiten të përmbledhura për Ballkanin në Samitin e Vjenës.

Lidhur me Kosovën ajo tha se papunësia e të rinjve mbetet një problem akut, ku sipas statistikave, ndër 10 të rinj vetëm 3 janë të punësuar.

Ajo mendon se ky numër i lartë i të rinjve të papunë, po ndikon që një numër i madh i tyre nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit po zgjedhin të largohen dhe të kërkojnë azil.

Çështjet më të rëndësishme të Konferencës ishin edukimi i drejtuar drejt tregut të punës, zhvillimi i degëve më të rëndësishme ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja në vend dhe krijimi i markave vendase të cilat janë konkurruese në tregun Evropian.

Gjithashtu u propozuan iniciativa për integrimin e shoqërisë civile në procesin e zhvillimit ekonomik dhe politik, kjo duke ndjekur modelet e suksesshme të vendeve të reja të BE siç është Kroacia dhe Sllovenia.

Ky punim i konferencës do ti prezantohet më vonë udhëheqësve politikë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.