Shoferi i Prokurorisë Speciale i bie shtyllës së betonit, në gjendje të rëndë
Një veturë e Prokurorisë Speciale të Kosovës është aksidentuar në rrugën Mitrovicë – Prishtinë, në afërsi të fshatit Llazarevë.

Lajme
Sipas policisë, në veturë ka qenë vetëm shoferi, i cili është dërguar në QKUK. Florije Ahmeti, zëdhënëse e Policisë, tha për KALLXO.com se policia ka informata se i lënduari është në gjendje të rëndë.
“Është vetëaksident, ku shoferi ka humbur kontrollin dhe ka dalë prej rrugës dhe ka goditur një shtyllë betoni”, tha Ahmeti. Sipas saj, vetura e aksidentuar është një Chevrolet i zi.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar aksidentin.
Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale tha se i lënduari në këtë aksident është një vozitës i Prokurorisë, i cili ka qenë në detyrë zyrtare duke dërguar disa dokumente nga Prishtina për në ndërtesën e Prokurorisë së Mitrovicës, e vendosur në Vushtrri. Edhe ajo konfirmoi se gjendja e shoferit është e rëndë.
Shefi i ndërrimit në Qendrën Emergjente, Avdush Bajgora tha se pacienti është pranuar në gjendje të rëndë dhe se ai mbetet në ekzaminim të mëtutjeshëm.