Shkupi do të protestojë për Kosovën, kundër Jabllanoviqit e për Trepçën

Në rrjetin social Facebook është paralajmëruar mbajtja e një marshi solidarizues me protestat në Kosovë. Nga Unioni i Studentëve, organizator i këtij marshi, bëjnë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke bashkangjitur edhe thirrjen për mbarëvajtje të qetë dhe paqësore të marshit që do të organizohet këtë të shtunë.

Lajme

29/01/2015 17:53

Enes Nezirin, anëtari i Parlamentit Studentor në Universitetin e Evropës Juglindore, i cili është njëri ndër iniciatorët e këtij marshi, i kontaktuar nga gazeta “Shenja”, ka thënë se arsyeja kryesore për mbajtjen e këtij marshi është mbështetja për vëllezërit nga Kosova.

“Ata na kanë mbështetur po me të njëjtin rast, pra me protesta përkrahëse, siç ishin ato ditët e verës së korrikut që protestuam kundër vendimit të gjyqit në rastin “Monstra”, e me çka edhe ata moralisht na kanë mbështetur, ku në çdo qytet të Kosovës kanë marshuar me moton “SHKUPI JEMI ME TY”, deklaron Neziri.

Për këtë arsye, ai thotë se nuk duhet qëndruar duarkryq në vëzhgim të situatës në Prishtinë.

“Nuk përkon kjo nga humanizmi, solidarizmi, dhimbja, dëshira që kemi. Unë uroj që do pritet mirë nga secili shqiptar i Maqedonisë dhe që për më tepër presim të na mbështesin në këtë nismë që kemi marrë ne si studentë të Shkupit”, shprehet Neziri.

Ai thotë se studentët nuk janë të ndikuar nga asnjë parti, qoftë e Kosovës apo e Maqedonisë e as nga ndonjë organizatë.

“Kurrfarë kontakti nuk kemi me asnjë parti politike, ishte vetëm ideja jonë me disa miq e dashamirë, që të organizohemi. E rëndësishme është që të kemi një numër të mirë marshues, që t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se edhe ne jemi me ata, ne ata s’i lëmë kurrë vetë, sepse ne jemi shqiptarë, ne jemi vëllezër me ta”, deklaron Neziri.

Marshi i së shtunës është paraparë që të fillojë nga çarshia e Shkupit nga ora 13:00 dhe të përfundojë para ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.