Shkup: Rritje të pagës për ata që shkojnë në punë me biçikletë
Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, ka njoftuar dje se të gjithë të punësuarit në administratën e qytetit që shkojnë në punë me biçikletë, do të kenë rritje page prej 3 për qind.
Lajme
Siç është raportuar nga mediat në Shkup, ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit” në shumë pjesë të qytetit ka vënë pika për huazimin e biçikletave, në mesin e të cilave ka të tilla edhe për fëmijë, transmeton lajmi.net.
“Me këtë gjest dëshirojmë të rrisim vetëdijen tek qytetarët për të përdorur biçikleta. Besojmë se do të rritet numri i çiklistëve nga një në tre për qind, pasi edhe pagat e tyre do të rriten në ato përqindje nëse vijnë në punë me biçikleta. Deri në vitin 2017 do të kenë rritje prej 3 për qind, kurse nga 2020 në 5 për qind”, ka deklaruar Trajanovski.
Me donacionin e fundit të shoqatës Auto-Moto të Maqedonisë që i ka dhuruar qytetit 35 biçikleta, janë vendosur stacionet e biçikletave të qytetit nga ku mund ti marrin me qira, derisa ndërmarrja publike “Parkingu i Qytetit” disponon me 250 biçikleta. (lajmi.net)