Shkroi ‘hajmalia’, urdhëarrest për mashtruesin

Mungesa e të akuzuarit për mashtrim, Abedin Retkoceri, ka bërë që të dështojë seanca ndaj tij, e paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Lajme

15/03/2019 14:32

Gjykatësi i çështjes Avdirrahman Gashi, ka bërë të ditur se në këtë seancë prezanton prokurori Remzush Latifi, ndërsa mungon i akuzuari edhe pse sipas tij, për atë është lëshuar urdhëresë, por nuk ka qenë i arritshëm për Gjykatën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse, ka munguar i akuzuari dhe nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Gashi, ka marrë aktvendim, që seanca e radhës do të caktohet me akt të veçantë, pasi që i akuzuari do të bëhet i arritshëm për Gjykatën, me ç’ rast ndaj tij është lëshuar urdhërarrest.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 mars 2018, Abedin Retkoceri, akuzohet se në mars të vitit 2016, në fshatin Babush i Muhaxherëve, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, se gjoja do t’u ndihmojë në zgjidhjen e problemeve familjare, përmes “hajmalive”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore, e mashtron të dëmtuarin A.P.

Në aktakuzë thuhet, se i akuzuari e ka nxitë të dëmtuarin, që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i marr për shërbimin 700 euro dhe pas tre muajsh edhe 200 euro, kurse në qershor të vitit 2016, e mashtron në të njëjtën mënyrë edhe të dëmtuarën T.M, nga e cila merr 750 euro si dhe 250 franga zvicerane.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari dy të dëmtuarve u kishte premtuar se nëse nuk arrin t‘ua zgjidh problemet familjare, do t’ua kthejë paratë, por që ai atyre nuk u ka kthyer paratë.

E me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari po akuzohet se në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “mashtrim”  nga neni 355 par.1 të KPRK-së.