Shkrirja e kufirit Kosovë – Shqipëri pret marrëveshjen rajonale

Kosova dhe Shqipëria tani e sa kohë synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim të lehtësimit të procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave, por kjo ende nuk është jetësuar.

Lajme

14/11/2019 18:23

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë vazhdojnë t’u nënshtrohen kontrolleve në pikat kufitare që lidh këto dy shtete.

Qeveritë e të dy vendeve kanë të nënshkruara edhe shumë marrëveshje me qëllim që të eliminojnë barrierat në mes dy shteteve, por ende mungon një marrëveshje për lëvizje të lirë.

Pas takimeve të fundit në nivel të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Novi Sad dhe Ohër, ku Kosova nuk mori pjesë, Shqipëria po e sheh çështjen e lirisë së lëvizjes më shumë në kontekstin e një “Mini-Shengeni” ballkanik dhe jo të një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve.

Tani çështja e kufirit Kosovë – Shqipëri nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po theksohet se nuk mund të arrihet mes dy shteteve, pa pasur marrëveshje edhe me vendet tjera të rajonit.

Rama një intervistë dhënë në televizion Top- Channel në Tiranë i pyetur lidhur me mendimin e Albin Kurtit, pretendent për kryeministër pas zgjedhjeve të 6 tetorit se ‘ Shqipëria duhet të heqë kufijtë me Kosovën, Rama ka theksuar se kufiri Kosovë – Shqipëri mund të hiqet vetëm me marrëveshje me të tjerët.

“Si e heq kufirin Albin Kurti nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi apo do të hapë luftë. Kush SHBA, Bashkimi Evropian apo Kuba do të japin pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët, do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër, që ne e kemi parë, jo duke e hequr, por duke e thënë se do të hiqet, kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithë andej”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, koordinatori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë në detyrë të Kosovës, Gazmend Abrashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës viteve të fundit ka punuar shumë për të lehtësuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Abrashi thotë se për heqjen e kufirit Kosovë – Shqipëri, siç ishte premtuar nga të dy qeveritë, janë edhe disa kërkesa administrative të Bashkimit Evropian. Ai thotë se në marrëdhëniet reciproke Kosovë – Shqipëri nuk duhet të ndërhyjë shteti i tretë.

“I ashtuquajturi menaxhim i integruar i kufijve, është një projekt që është paraparë të zbatohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ideja e këtij menaxhimi është që të gjitha shtetet e rajonit të kenë një sistem, me të cilin kur të afrohet çfarëdo mjeti transportues në vendkalimin kufitar të identifikohen detajet dhe kjo kontroll të kryhet vetëm në një pikë kufitare. Kjo iniciativë që ka bërë Edi Rama, është një nga iniciativat e shumta që e kanë karakterin e njëjtë, nuk ka asnjë risi”, thotë Abrashi.

Javën e kaluar liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duke përfshirë lëvizjen e lire të njerëzve dhe mallrave.

Rama, duke i referuar kësaj nisme rajonale për “Mini-Shengeni”-in ballkanik thotë se do ta heqë kufirin edhe me Kosovën.

“Nuk ka askush kundërshtim. Edhe presidenti i Serbisë e ka hedhur hapin e madh dhe të vështirë në raport me të dhe e ka hequr veton për kufirin për lëvizjen e njerëzve, tani këta duan ta heqin kufirin apo do të vazhdojnë të heqin duke e thënë dhe duke mos e hequr, apo do ta heqin me valle shpatash”, ka thënë Rama.

Kandidati për kryeministër të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, në një deklaratë për media ka thënë se kryeministri Rama ka bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale “Mini shengeni” ballkanik.

“Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci e Bullgari, vazhdon me Sarajevën zyrtare, Podgoricën zyrtare, Shkupin zyrtar e në fund Beogradi, sepse i tillë çfarë është ai, i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në filtrim të vazhdueshëm me Moskën, nuk mund të ketë prioritet. Mendoj se edhe mbledhja e Novi Sadit, edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, tha Kurti.

Iniciativat e tilla rajonale janë kundërshtuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, të cilat në vazhdimësi kanë kërkuar largimin e barrierave tregtare mes shteteve, thonë se lëvizjen e lirë e parasheh edhe Marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA, por që këto nisma nuk po arrijnë të zbatohen dhe po krijohen barriera në vazhdimësi.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se do të ishte parësore që fillimisht të zbatohet Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA) e nënshkruar tani e sa vite, para se të diskutohet për çfarëdo iniciative tjetër që do të mundësonte qarkullimin e lirë të njerëzve të mallrave dhe kapitalit.

“Përvoja e kaluar ka dëshmuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të gatshëm të heqin të gjitha barrierat ndaj njëra tjetrës. Ajo që do të duhej t’i paraprinte një aranzhmani të ri është natyrisht harmonizimi i plotë i të gjitha procedurave fito sanitare dhe dokumenteve të tjera inspektuese që do t’i lëshonte një vend dhe do t’i pranonte një vend tjetër. Kjo nuk ndodh as në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, si dy shtet që kanë pasur edhe marrëveshje bilaterale për lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, e lërë më me shtetet e tjera që as nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur ose kanë barriera tjera të natyrës politike”, thotë Zeka.

Ai thotë se edhe në të kaluarën ka pasur tentime për heqjen e kufirit Kosovë- Shqipëri, por ka pasur shqetësime që janë prezantuar edhe nga Bashkimi Evropian, e që janë shqetësime, të cilat, sipas tij, duhet të adresohen.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, të dy vendet kanë investuar edhe miliona deri në miliarda euro në infrastrukturën rrugore.