Shkresa me gabimet drejtshkrimore në ‘’Ukshin Hoti’’, Krasniqi arsyetohet se nuk është autor i tekstit

Safet Krasniqi ka mohuar të jetë autor i tekstit në shkresën me gabime drejtshkrime, drejtuar Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, të cilën thuhet se e dërgoi në cilësinë e ushtruesit të Detyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik të Prizrenit.

Lajme

05/12/2020 19:01

Në një përgjigjie për Klan Kosovën, ai thotë se është infektuar me koronavirus, dhe se nga 25 nëntori ai ka autorizuar Prodekanin e Universitetit ”Ukshin Hoti” në Prizren, që t’i kryente të gjitha detyrat që atij i takonin.

”Sapo e pashë këtë kërkesë”.

”Unë aktualisht jam me Covid-19. Nga data 25 nëntor unë kam autorizuar Prodekanin qe t’i kryej të gjitha punët e Dekanit”.

Po ashtu ai mohon ta ketë nënshkruar edhe një dokument të tillë, njofton Klan Kosova.

”Sa i përket tekstit, këtë e vërteton nënshkrimi i cili nuk është i imi, por besoj se mund të jetë i personave zyrtarë në zyrat e Fakultetit Juridik (sekretari ose dikush tjetër)”.

Krasniqi thotë se kjo shkresë e cila mban datën 27 nëntor, është fushatë e një klani të caktuar për të bërë propagandë.

”Po besoj se kjo është fushatë e grupit ose klanit të caktuar i cili dëshiron që në mungesë të kapaciteteve të veta, të bëjë këso propagande edhe pse e din ky grup se unë nuk jam nënshkrues i këtij teksti”.